Kapet sasi e madhe kokaine në portin e Durrësit, vinte me kontejner nga Ekuadori
Një sasi e madhe kokaine është kapur në portin e Durrësi. Burime për ABC bëjnë me dije se kokaina e kapur e kishte origjinën nga Ekuadori. Deri më tani thuhet se nga 200 pakot me kokainë të gjetura brenda një kontejneri, peshojnë rreth 100 kg. Pakot e drogës së fortë ishin fshehur në tavanin e kontejnerit që vinte nga Ekuadori.
Ka qenë skaneri i kontrollit në portin e Durrësi që ka gjetur sasinë e madhe të kokainës.
Menjëherë pas kësaj, përfaqësues të drejtorisë së përgjithshme të Policisë shkuan në port. Nga kontrolli brenda në kontejner u gjetën 200 pako me kokainë. Mësohet se kontejneri u përket disa personave nga Tirana, emri i të cilëve është i padëgjuar më parë për përfshirje në ndonjë vepër kriminale.
Kontejneri që vinte nga Ekuadori ishte i mbushur me banane që përdorej nga kompania Massabi Fruits me qendër në Kombinat Tiranë.
Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë në Durrës, u kap një sasi tjetër prej 49 kg kokainë e fshehur në pjesën anësore të një kontejneri me banane. Për këtë u arrestua Selim Cekaj, babai i Arbër Cekajt edhe ky i arrestuar për një sasi të madhe kokainë të kapur në vitin 2018.