Gjatë mbledhjes së Komisionit të Financës dhe Ekonomisë anëtarja e Komisionit të Financave dhe Ekonomisë, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh sot se është dakord me dekretin e presidentit Meta në lidhje me Aktin Normativ.
Tabaku u shpreh se kishte dëgjuar Ministren e Financave në lidhje me stimulin ekonomik dhe vuri në dukje se Akti Normativ i qershorit 2021 nuk ka lidhje me stimulin ekonomik.
“Nuk e kuptoj çfarë stimuli ekonomik do të japin për ekonominë, 1miliardë lekë për AKSHI-n apo 1 miliard lekë për dronet që blihen nga Turqia,” – u shpreh ajo ndërsa vuri në dukje disa nga shpenzimet e cituara në Aktin Normativ 2021 nga qeveria.
“Ne mund të mblidhemi kur të doni për pandeminë dhe rindërtimin por nuk kemi një Akt Normativ për këtë çështje, por për disa çështje “ nënvizoi ajo ndërsa vuri në dukje se shpenzimet në Akti Normativ 2021 nuk kanë lidhje me zërat.
Tabaku tha se zërat për infrastrukturën rurale, infrastrukturën rrugore apo ujësjellësin nuk kanë përse të merren me një Akt Normativ që gjoja kërkon vëmendje për pandeminë.
“Qeveria do t’i japë 900 mln lekë Bashkisë Tiranë për Teatrin me Kullë dhe na e shet si buxhet për pandeminë!”
Gjatë debatit për Aktin Normativ 2021 dhe dekretin e presidentit Meta, deputetja e PD Jorida Tabaku shprehu habinë se çfarë lidhjeje ka pandemia me 900 milionë lekë që qeveria do t’ia japë Bashkisë Tiranë për godinën e Teatrit Kombëtar!!!
Ajo vuri në dukje se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar, ia ka hequr të drejtën Bashkisë Tiranë për ndërtimin e Teatrit Kombëtar.
“Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim për Teatrin Kombëtar, prishja është ilegjtime, prona i ka kaluar Ministrisë së Kulturës. Për çfarë arsye i kaloni Bashkisë Tiranë 900 mln lekë për Teatrin Kombëtar kur vendimi për prishjen është antikushtetues dhe prona i ka kaluar Ministrisë së Kulturës?!”
Ajo vuri në dukje se ky veprim nuk ka lidhje me pandeminë dhe as me rindërtimin. Vendimi është abuziv dhe po përpiqet të shkelet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.