Një 32-vjeçar ra në prangat e policisë dhe shoku i tij u shpall në kërkim, me akuzën se kanë shfrytëzuar për prostitucion dy vajza rumune, të cilat i kishin mashtruar duke iu premtuar martesë dhe një jetë më pas në një nga shtetet e BE-së.
Operacioni i koduar “Premtimi”, u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
“Në bazë të provave të grumbulluara, si rezultat e një pune disajavore, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Premtimi”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi J. D., 32 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më pare për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Vetëgjyqësia”.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi T. M.
Këta dy shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, me premtimin për martesë dhe më pas për t’u larguar dhe të jetonin jashtë shtetit në vendet e BE-së, i kanë sjellë këto shtetase në Shqipëri. Pas një qëndrimi prej disa ditësh dyshohet se i kanë shfrytëzuar seksualisht këto 2 shtetase rumune me persona të tjerë”, tha Policia.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Trafikim i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit” i kryer në bashkëpunim.tpz.al