Çdo parti politike tenton që të hartojë një regjistër sa më real të votuesve të saj potencialë ditën e zgjedhjeve, për të krijuar një projeksion të përafërt mbi rezultatin. Me këtë qëllim krijohen lista me emra votuesish që kanë lidhje me strukturat. Këto lista organizohen, sipas Qendrave të Votimit dhe në bazë të llogaritjeve krijohet një objektiv i përafërt i rezultatit.
Por nën ethet e “mandatit të tretë” në 25 Prill, Partia Socialiste e ka çuar gjurmimin e votuesve në një nivel tjetër, duke i kaluar caqet e ligjshmërisë.
Në zyrat elektorale të PS-së është vënë në dispozicion një sistem të dhënash, që ngre dyshime të forta për përdorimin e database shtetërore të E-Albania në funksion të partisë në pushtet.
Lapsi.al ka arritur ta sigurojë këtë database ku janë të përfshira të dhëna konfidenciale të 910 mijë votuesve të Tiranës nga 19 deri në moshën 99 vjeç. Dokumenti përmban të dhënat personale të secilit prej nesh, si numrat e telefonit, numrin e kartës së identitetit, numrin e qendrës së votimit, vendin e punës për shumicën e të regjistruarve dhe një përshkrim të përkatësisë politike për secilin prej qytetarëve të Tiranës, praktikisht është fryti i një pune monitorimi të qytetarëve, që ka në themel të saj, të dhënat që ne ia kemi besuar shtetit.
Në dokumentin e siguruar nga Lapsi.al, qështë afërsisht 234 MB, përkatësia politike e secilit është përshkruar shkurt me PO ose me JO në një kollonë, nga personat që janë pjesë e skemës së “patronazhit”.
“Patronazhistët” quhen ndryshe anëtarët e PS-së që përmes kontakteve, telefonatave apo të njohurve të përbashkët krijojnë një ide të përafërt të bindjeve politike të secilit prej nesh. Sistemi i patronazhit është përdorur edhe në zgjedhje të kaluara, por diferenca për “mandatin e tretë” është se, dikur të dhënat për votuesit potencialë mblidheshin në mënyrë vullnetare, kurse në database që përdor sot Partia Socialiste ka informacione sensitive tonat, që po keqpërdoren për fushatën zgjedhore.
Në database, përmbajtja e të cilit përbën vepër penale, janë të dhënat për 910 mijë qytetarë të Tiranës të cilët nuk i kanë dorëzuar me vullnetin e tyre informacionet për Partinë Socialiste, por ato i janë vjedhur secilit prej nesh, që nga numrat e telefonit, numri ID i kartës së identitetit apo vendi i punës etj.
Lapsi.al mësoi se njësoj siç ky dokument është shpërndarë në kompjuterat e selisë së PS të Tiranës, ku bëhet përpunimi i të dhënave, e njëjta procedurë antiligjore ndodh në selitë e degëve të PS në qarqet e tjera, duke e shpërndarë këtë skemë pune për të gjithë votuesit e Shqipërisë.
Nga një verifikim i thjeshtë, rezulton se të dhënat e qytetarëve janë azhornuar në muajt e fundit. Gjatë kohës së pandemisë, E-Albania ka qenë një ndër aplikacionet jetike, kur secili prej nesh është detyruar ta përdorë për një qëllim apo një tjetër. Gjithsesi disponimi i të dhënave personale nga PS mund të jetë bërë edhe nga institucionet e tjera shtetërore.
Krijimi dhe përdorimi i këtij Database për qëllime elektorale është provë se për të fituar zgjedhjet, Rilindja nuk po ndalet në kufijtë e ligjit dhe nuk ka skrupuj të vjedhë të dhënat përsonale për cilindo.
Sistemi i të dhënave përfshin informacione për ministra, familjarë të tyre, drejtorë të Rilindjes, prokurorë, avokatë, gjyqtarë, policë, gazetarë të të gjitha mediave në Tiranë, aktorë të angazhuar apo jo në politikë, personazhe të shoqërisë civile dhe të jetës publike, të gjithë nën vëzhgimin syrit magjik, që sheh përtej ligjit.
Për ta parë vetë mënyrën se si është organizuar database, Lapsi.al po publikon të dhëna të pjesshme për disa emra të njohur të jetës publike, duke nisur nga vetë drejtuesit e portalit.
Më poshtë do të gjeni disa të tjerë personazhe publike sipas raportimit që i kanë bërë patronazhistët e Partisë Socialiste në Database që përdoret për fushatën e 25 Prillit, ku janë edhe të dhëna konfidenciale që disponohen nga institucionet shtetërore.