Intervistë ekskluzive me ish-drejtorin e SHISH-it: Ne e mbulonim edhe Kosovën, deri sa u themelua AKI-ja

 

Serwer: Preferoj që ambasada e Kosovës të mos v…Analisti i njohur i çështjeve ballkanase, Daniel Serwer ka komentuar marrëdhëniet diplomatike me…

E ka drejtuar rreth 10 vjet Shërbimin Informativ të Shqipërisë, por është hera e parë që jep intervistë për publikun. Ka punuar me struktura të ndryshme të sigurisë në Kosovë, para dhe pas shpalljes së pavarësisë, si dhe është një prej kontribuuesve më të mëdhenj në ndërtimin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Ish-drejtori i SHISH-it në vitet 2005-2012, Bahri Shaqiri, i cili më herët për tri vite ishte edhe shef i kabinetit të ish-drejtorit paraprak dhe më pas Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit Meta, në një intervistë ekskluzive për Demokracia.com tregon se Shërbimi Sekret i Shqipërisë është themeluar në vitin 1912 dhe është bërë pikërisht për viset shqiptare të mbetura jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Sipas tij, gjeneza e themelimit të shërbimit shqiptar ishte mbrojtja e interesave kombëtare dhe nga atëherë kjo trashëgimi vetëm sa është forcuar dhe ka vazhduar në të gjitha etapat e ndryshme historike, që nga koha e themelimit.

Shaqiri për Demokracia.com ka konfirmuar se Shërbimi Informativ Shqiptar ka mbuluar, në respekt të ligjeve, me shumë sukses të gjithë territorin e Kosovës dhe ka pasur në vazhdimësi një pasqyrë shumë të qartë të asaj se çfarë po ndodhte në Kosovë, që nga koha kur kishte mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

Demokracia.com: Është intervista juaj e parë për një medium në Kosovë. Publiku ju njeh pak, por strukturat e sigurisë ju njohin për kontributin e dhënë për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit, para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Si e vlerësoni sot sigurinë në rajon krahasuar me kohën kur ju keni qenë drejtor i SHISH-it?

Bahri Shaqiri: Është intervista e parë jo vetëm për një medium në Kosovë, por intervista e vetme, që deri më tani i kam dhënë ndonjë mediumi. Sigurisht, gjendja e sigurisë në rajon, nga koha kur kam qenë drejtor i Shërbimit Informativ të Shqipërisë ka ndryshuar shumë. Shqipëria tashmë është vend anëtar i NATO-s. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, Mali i Zi është shtet i pavarur dhe vend anëtar i NATO-s, Maqedonia e Veriut është vend anëtar i NATO-s dhe ka arritur marrëveshje për çështjen e emrit me Greqinë.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor tanimë janë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndonjë më afër e ndonjë tjetër më larg, por të gjitha këto procese kanë sjellë padyshim siguri dhe stabilitet shumë më të madh në tërë rajonin tonë.

Demokracia.com: Ju jeni një prej kontribuuesve më të mëdhenj në ndërtimin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Cili është vlerësimi juaj për këtë institucion?

Bahri Shaqiri: Kemi punuar shumë me struktura të ndryshme të sigurisë në Kosovë edhe para shpalljes së pavarësisë, por edhe pas saj. Më e veçanta gjatë angazhimit tim vlerësoj se është kontributi im dhe i strukturave që kam drejtuar në ndërtimin dhe funksionalizimin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Sigurisht që në këtë rrugëtim tonin kishim përkrahjen edhe të partnerëve strategjikë. Agjencia e Kosovës për Inteligjencë sot është një institucion modern dhe shumë profesional, që jep kontribut të lartë jo vetëm në sigurinë e brendshme të Kosovës, por edhe në rajonin tonë dhe shumë më gjerë. Janë për t’u vlerësuar shumë arritjet e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në një periudhë kohore kaq të shkurtër.

Demokracia.com: Cilat mendoni se janë kërcënimet e sigurisë me të cilat ballafaqohet shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës?

Bahri Shaqiri: Me gjithë progresin e arritur, nuk mund të themi se Shqipëria dhe Kosova, por edhe tërë shqiptarët kudo që jetojnë në rajon, janë pa rreziqe dhe pa sfida të sigurisë. Në vazhdimësi ka pasur përpjekje për ta penguar rrugëtimin e rajonit tonë drejt integrimeve euroatlantike. Veprimtaria armiqësore e shërbimeve sekrete për rikthimin e destabilizimit në rajonin tonë vazhdon të mbetet e lartë. Kujtojmë rastin e tentimit për grushtshtet në Mal të Zi, por edhe përpjekjet për destabilizimin e Maqedonisë së Veriut, fushatën për ç’njohjet e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe aleatëve të saj. Përveç këtyre, sigurisht që ka edhe sfida tjera të sigurisë, siç janë krimi i organizuar në të gjitha format e tij, por edhe rrymat e ndryshme me bazë ideologjike dhe ekstremiste.

Demokracia.com: A mund të na tregoni ndonjë rast nga e kaluara juaj gjatë ballafaqimit tuaj me strukturat e sigurisë serbe ose ruse gjatë takimeve të ndryshme apo në terren?

Bahri Shaqiri: Rastet konkrete të ballafaqimeve operative vazhdojnë të mbeten sekrete.

Por, po përmend vetëm një, që do ta mbaj mend gjithë jetën time. Ka qenë momenti kur unë i njoftova drejtuesit e shërbimeve sekrete ruse, për datën dhe kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ky është një moment i paharruar për mua. Ndërsa, ballafaqime me drejtuesit e shërbimeve sekrete serbe kemi pasur në vazhdimësi, në të gjitha forumet që jemi takuar. Në vazhdimësi ua kam paraqitur argumentet e mia se shtetësia e Kosovës do të sjellë paqe, stabilitet dhe qetësi në rajonit tonë, pavarësisht paralajmërimeve për destabilizim të rajonit, që në vazhdimësi propagandohej nga shërbimet serbe e ruse dhe siç rezultoi, ne kishim të drejtë.

Demokracia.com: Shërbimi Informativ i Shqipërisë është një prej shërbimeve më të vjetra në rajon. Një kohë ishte i njohur edhe si Shërbimi Informativ Kombëtar. A do të thotë kjo që mbulonte tërë kombin shqiptar, përtej kufijve të Shqipërisë me aktivitet? Nëse po, si e keni mbuluar Kosovën?

Bahri Shaqiri: Shërbimi Sekret i Shqipërisë është themeluar në vitin 1912 dhe ka një vazhdimësi mbi një shekull. Nëse e shohim aktin e themelimit është bërë pikërisht për viset shqiptare të mbetura jashtë kufijve të shtetit shqiptar të shpallur në 1912-ën. Pra, gjeneza e themelimit të shërbimit shqiptar është mbrojtja e interesave kombëtare dhe nga atëherë kjo trashëgimi vetëm sa është forcuar dhe ka vazhduar në të gjitha etapat e ndryshme historike, që nga koha e themelimit. SHISH-i dhe të gjitha shërbimet paraardhëse të tij kanë qenë gjithmonë të kyçur shumë thellë në mbrojtjen e interesave kombëtare, kudo ku jetojnë shqiptarët. Shërbimi Informativ Shqiptar ka mbuluar, në respekt të ligjeve, me shumë sukses të gjithë territorin e Kosovës dhe ka pasur në vazhdimësi një pasqyrë shumë të qartë të asaj se çfarë po ndodhte në Kosovë, që nga koha kur Kosova ka ngelur jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

Demokracia.com: Pas themelimit të AKI-së në Kosovë, a keni pasur veprimtari operacionale të përbashkët dhe a mund ta veçoni ndonjë sukses të veçantë për publikun?

Bahri Shaqiri: Me themelimin e AKI-së, puna e SHISH-it është lehtësuar shumë në përballje me kërcënimet e sigurisë. Tanimë si dy shërbime partnere, me sukses janë duke u përballur me të gjitha kërcënimet e sigurisë kombëtare. Kur kësaj i shtohet edhe partneriteti i fuqishëm, që këto shërbime kanë, ato i bënë edhe më efektive për mbrojtjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Në kohën kur kam drejtuar SHISH-in dhe pas themelimit të AKI-së, mund të përmend që me sukses përmes operacioneve të përbashkëta kemi arritur të përballemi me rreziqet e sigurisë, që i kanoseshin kombit tonë nga rrymat e ndryshme ekstremiste dhe radikale të ideologjisë fetare. Madje, me sukses kemi parandaluar edhe sulme të ndryshme terroriste që bazën e kishin në këto ideologji. Kemi pasur vazhdimisht operacione të përbashkëta kundër të gjitha formave të krimit të organizuar në të dyja anët e kufirit, por më të theksuara kanë qenë operacionet kundër trafikut të drogës dhe armëve.

Demokracia.com: Familja juaj ka lidhje të veçanta me Kosovën. Kohë më parë, babai juaj është dekoruar me Medaljen “Mjeshtër i Merituar”. A ndjeheni i vlerësuar për kontributin që si familje keni dhënë për Kosovën?

Bahri Shaqiri: Lidhja jonë me Kosovën, si familje është shumë e fuqishme. Unë kam emrin e xhaxhait tim, të ndjerit Bahri Shaqiri, i cili mbeti i vrarë në Ferizaj. Pra, ra në vitin 1944, në luftën për çlirimin e Kosovës. Babai im, Fehmi Shaqiri, ka një jetë që jep kontribut për kulturën dhe artin e kombit shqiptar në përgjithësi, aq sa mund t’ju them se në këto dy dekadat e fundit, më shumë ka qëndruar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Shota” sesa në shtëpinë e tij. Dhënia e medaljes presidenciale për të, sigurisht na jep krenari si familje, por në veçanti më bën mua të ndjehem mirë për gjithë atë angazhim babait, të vlerësuar nga institucionet shtetërore, që të vijojmë të kontribuojmë për Kosovën, si obligim të trashëguar brez pas brezi.

Demokracia.com: Keni qenë pjesë e SHISH-it më tepër se 10 vite dhe keni drejtuar këtë institucion për rreth 10 vite. Ju jeni në dijeni për një proces ndërkombëtar të drejtësisë, ku të akuzuar janë udhëheqësit e UÇK-së me pretendime për krime lufte. Baza fillestare për inicimin e këtyre akuzave ishin pretendimet se gjatë luftës së Kosovës është kryer trafikim i organeve brenda territorit të Shqipërisë. Cili është vlerësimi juaj si ish-drejtues i SHISH-it për këto pretendime?

Bahri Shaqiri: Asnjëherë nuk ka pasur dëshmi për një gjë të tillë, jo vetëm në territorin shqiptar, por as në Kosovë. Këto akuza janë iniciuar nga qarqe të ndryshme për ta njollosur luftën e drejtë të UÇK-së dhe gjithmonë kanë qenë të pabazuara. Kujtoj, që për këto pretendime ka hetuar edhe misioni i UNMIK-ut dhe ai i EULEX-it, por çdo herë rezultati ka dalë i njëjtë: pretendimet nuk qëndrojnë. Edhe ne si SHISH, kemi kryer verifikime tona dhe nuk kemi hasur as edhe një dëshmi të vetme për të provuar vërtetësinë e këtyre pretendimeve. I kam njohur dhe i njoh të gjithë ish-drejtuesit e UÇK-së. Asnjëherë, asnjëri nga ta, në dijeninë time nuk ka kryer krime, por ka luftuar për mbrojtjen e popullit të Kosovës. Lufta e Kosovës ka qenë luftë për liri dhe pavarësi. Luftë për ndaljen e gjenocidit mbi një popull të tërë dhe është një ndër luftërat më të pastra që kanë ndodhur ndonjëherë.

Demokracia.com: Vitet e fundit keni shërbyer si Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit Meta. Cili është dallimi i të qenit drejtor shërbimi dhe këshilltar për siguri kombëtare?

Bahri Shaqiri: Si drejtues shërbimi, ti je çdo herë i fokusuar në mbledhjen, analizën dhe shpërndarjen e një informacioni për drejtuesit më të lartë të shtetit, veçanërisht për Presidentin e Republikës dhe Kryeministrin. Ndërsa, kur je Këshilltar për Sigurinë Kombëtare pranë Presidentit të Republikës, je në pozicionin që ta përdoresh informacionin në formësimin e politikave të Kreut të Shtetit dhe në të njëjtën kohë, në gjendje të shohësh se cilat janë apetitet e politikëbërjes ndaj produkteve të shërbimit. Sigurisht që kur je në këtë pozitë edhe si ish-drejtues i shërbimit, kjo e shton vlerën në shumë dimensione. Në njërën anë, ke njohuri të thellë sesi ndërtohet produkti i shërbimit, cilat janë vështirësitë gjatë këtij procesi. Por, ke edhe anën tjetër, atë të “shfrytëzuesit” të këtij informacioni. Kur i ke të dyja këto anë, gjithsesi që puna bëhet më e lehtë për të dyja palët.

Demokracia.com: Tash i jeni futur garës politike për deputet. Çfarë ju shtyri të kaloni nga sektori i sigurisë në atë të politikës?

Bahri Shaqiri: Shqipëria jo rrallë është ballafaquar me sfida të ndryshme të sigurisë. Jo për shkak të mungesës së informacionit nga strukturat e sigurisë, por për shkak të mos trajtimit të duhur nga ata që e kanë pasur në dispozicion këtë informacion, duke rrezikuar jo vetëm burimet e informacionit, por edhe duke vendosur shpeshherë në rrezik të lartë edhe interesat e sigurisë kombëtare. Janë këto disa nga arsyet që më kanë shtyrë të hyj në garën për deputet. Vlerësoj që përvoja ime e pasur në fushën e sigurisë kombëtare dhe kualifikimet e mia do të jenë vlerë e shtuar për legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe do të isha një urë lidhëse mes strukturave të sigurisë dhe atyre që përdorin punën e tyre në formësimin e politikave publike. Unë kandidoj për deputet nga Lëvizja Socialiste për Integrim në Qarkun e Durrësit, që ka nevojë më shumë se çdo Qark tjetër për kthimin në normalitet, për vendosje rendi dhe sundim të ligjit, kthim nën kontroll të autoriteteve shtetërore dhe jo sundim të paligjshmërisë. Eksperienca ime dhe formimi im do jetë një shërbim shumë i madh për Durrësin, Shijakun dhe mbarë zonat e këtij Qarku.

Demokracia.com: Si politikan i ardhshëm, cila do të jetë qasja juaj për strukturat e sigurisë dhe cilat duhet të jenë sferat e bashkëpunimit me prioritet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në sektorin e sigurisë dhe më gjerë?

Bahri Shaqiri: Për shkak se një numër i madh i prioriteteve të sigurisë kombëtare që kanë qenë në kohën sa isha drejtues i SHISH-it tashmë janë përmbushur, mendoj që si përfaqësues i zgjedhur tani do t’i jepja kahje sigurisë kombëtare në një dimension tjetër, duke punuar fuqishëm që institucionet tona të kenë politika të përbashkëta për adresimin e sfidave të sigurisë sonë. Konkretisht, do të punoja fort për standardizim dhe unifikim sa më të madh edhe të një qasjeje jo vetëm në rrafshin e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në mes të institucioneve, por edhe të hartimit të politikave që plotësojnë njëra-tjetrën, dy shtetet tona. /Demokracia.com

Author: admin