Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se opozita ka qenë dhe do jetë në krye të detyrës për të mbrojtur Kushtetutën. Deklarata e Bashës vjen pas thirrjes që kreu i shtetit bëri sot pikërisht nga selia e FRD-së në Tiranë, që opozita ‘të zgjohet’ pasi sipas tij po cenohen rregullat për një proces të lirë zgjedhor.
“Opozita ka qenë e është në krye të detyrës, presidenti ka qenë e është në lartësinë e detyrës për të mbrojtur kushtetutën në kushtet e një shteti që është i gjithi në funksion të mafias, ndraghetës, oligarkëve e kriminelëve, fundi i pengmarrjes së shtetit është i afërt, shqiptarët janë të bashkuar e përmes fuqisë së këtij bashkimi 25 prillit do jetë dita e ndryshimit”.
Kujtojmë që kreu i shtetit tha sot: “I bëj thirrje opozitës të zgjohet e mos lejojë më as një prekje të rregullave të garës se do jetë vonë për të e jo për shqiptarët nëse do tolerojë sjelljet e partisë bandë”.
Në një komunikim me gazetarët pas takimit që pati me kreun e FRD-së Sali Shehu, Basha tha se ngjarja e sotme është dhunë mbi opozitën dhe mendimin e lirë.
“Hakmarrja është tipari më dallues i Edi Ramës në këto 8 vite. Kjo është dhunë ndaj opozitës, dhunë ndaj mendimit të lirë, kjo nuk na tremb se dhuna ka qenë e vetmja alternative që ka pasur për shqiptarë, ndërsa e jona është alternativa e shpresës e ndryshimit”.