Vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten sërish jashtë listës së vendeve me të cilat rekomandohet hapja e kufijve me BE.
Në raportin e përditësuar të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve bie në sy prirja në rritje e rasteve ditore.
Mesatarja është rritur ndjeshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor nga 73 raste në 85 dy javët e fundit.
Në Shqipëri është rritur me 5 mesatarja e rasteve për 100 mijë banorë.
Prirja rritëse më shqetësuese është ajo në Mal të Zi nga 123 raste për çdo 100 mijë banorë në 162 raste.
Shqipëria 44 (+5)/100 mijë banorë
Serbia 77 (+14)/100 mijë banorë
Bosnje e Hercegovina 96 (+24)/100 mijë banorë
Maqedoni e Veriut 100 (+6)/100 mijë banorë
Kosova 132 (+8)/100 mijë banorë
Mali i Zi 162 (+39)/100 mijë banorë
Me këtë mesatare BE-ja do të vazhdojë t’i mbajë mbyllur kufijtë për vendet nga Ballkani Perëndimor.
Brukseli ka rekomanduar që hapja e kufijve të bëhet sipas një rregulli ku nëse vendet do të raportojnë një mesatare më të ulët se ajo e BE-së në 14 ditët e fundit mund të këshillohet hapja e kufijve.
Mesatarja e 14 ditëve të fundit në 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian ka qenë 16 të infektuar për çdo 100 mijë banorë – dy javë më parë, më 15 korrik, kjo mesatare ishte 13 të infektuar/100 mijë banorë.
Luksemburgu është ai që raporton mesataren më të lartë për çdo 100 mijë banorë (206 raste) ndërsa Malta e Estonia kanë mesataren më të ulët (1 rast).