Më 21 tetor të vitit 2016, trafikantët e lëndës narkotike të arrestuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Shpirti” kanë transportuar 660 kg kanabis për llogari të Sajmir Kurtit.
Në bazë të dhënave të siguruara nga bashkëpunëtorët e drejtësisë, ka rezultuar se përgjatë këtij muaji ata kanë bërë një udhëtim të dytë për lëndën narkotike të Kurtit. Ngarkesa ka qenë e destinuar për disa shqiptarë që jetojnë në Gjermani.
Në dosjen hetimore të siguruar nga gazetarja e ABC Xhensila Kodra thuhet se gjatë transportimit me gomone, ajo është mbushur me ujë dhe të dy motorat kanë pësuar defekt. Për pasojë janë detyruar që për disa orë të përdorin lopatat.
Pasi kanë mbërritur në Monopoli, ata kanë shkarkuar thasët me marijuanë duke i fshehur në murin rrethues të një shtëpie të pabanuar.
“Trafikimi i lëndës narkotike prej 660 kg të llojit canabis sativa me datë 21 tetor 2016
Nga aktet rezultojnë të dhënat se shtetasi Saimir Kurti në bashkëpunim me shtetasit Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini dhe në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar kanë trafikuar në rrugë detare nga Shqipëria në Itali, sasinë prej 660 kg lëndë narkotike të llojit canabis sativa, e sekuestruar më datë 21 tetor 2016 në pjesën bregdetare të Monopolit.
Për këtë fakt shtetasi Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini kanë deklaruar se në muajin tetor 2016 ata të dy kanë bërë një udhëtim të dytë për të trafikuar me rrugë detare nga Shqipëria në Itali rreth 500 kg lëndë narkotike të lloj canabis sativa.
Edhe në këtë rast, të dy personat kanë deklaruar se shtetasi Sajmir Kurti ishte pronar i lëndës narkotike, po ashtu për mjetin lundrues gomonen me të cilin ishin nisur nga plazhi mbrapa kazinosë së Sajmit Kurtit që ndodhej afër Malit të Robit.
Ngarkesa me lëndë narkotike ishte e destinuar për disa shtetas shqiptar që ndodheshin në Gjermani që pasi të njoftoheshin për zbarkimin e lëndës narkotike në brigjet e Puglias, do të arrinin në Itali me kamion për të ngarkuar dhe për të marrë lëndën narkotike.
Ato kanë deklaruar se gjatë ngarkimit të mjetit lundrues gomone ishin të pranishëm Sajmir Kurti bashkë me të birin dhe nipin.
Gjatë transportimit gomonia është mbushur me ujë dhe të dy motorat kishin pësuar defekt, kaq sa për të arritur në brigjet italiane janë detyruar të përdorin lopatat duke zbarkuar rreth orës 4 o 5 të mëngjesit në zonën Monopoli. Këtu kanë shkarkuar thasët me marijuanë duke i fshehur në murin rrethues të një shtëpie të pabanuar”, thuhet në dosje.