Pas operacionit të zhvilluar sot në Lezhë me urdhër të SPAK për goditjen e një bande kriminale të trafikut të drogës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka mbledhur në një takim strukturat e Policisë vendore, për të prezantuar edhe drejtorin e ri në Lezhë, Oltion Bistri.
Në fjalën e tij, Nano ka qenë i prerë në porosinë e tij drejtuar shefit të ri të Policisë vendore se nuk do të ketë asnjë tolerim për efektivë që bëhen palë me krimin.
“Lufta pa kompromis ndaj grupeve kriminale dhe toleranca zero ndaj kultivimit të bimëve narkotike janë prioritet dhe sfidë, ndaj së bashku me drejtorin e ri të angazhoheni për t’i dhënë një impuls të ri jo vetëm kësaj sfide, por gjithë prioriteteve që ka Policia e Shtetit.
Më keni në krah në punën tuaj për të arritur objektivat, por ju siguroj se nuk do të tolerohet asnjë punonjës policie që neglizhon detyrën apo më keq akoma, që bëhet palë me krimin. Respektoni qytetarët, shërbejuni atyre duke iu ofruar një shërbim sa më cilësor, zbatoni ligjin dhe vetëm ligjin dhe ju siguroj se do jem përherë suporti juaj.
Disa punonjës policie brenda strukturës nuk mund ta prishin imazhin e Policisë së Shtetit, duke zhbërë punën e mirë që është bërë deri tani, ashtu sikurse disa individë të tjerë nuk mund ta sfidojnë Policinë”, u shpreh kreu i Policisë së Shtetit.