Kufoma e dekompozuar dhe e parregullt nga ana strukturore e një 63-vjeçareje është gjetur, ditën e sotme, në vendin e quajtur “Mali i Tyrbes”, Lezhë.
Policia njofton se bashkëshorti i të ndjerës kishte bërë kallëzimin për largimin nga banesa të bashkëshortes, Angjelina Gjoka që në muajin shkurt.
Prej marrjes së kallëzimit shërbimet e policisë kanë vijuar kërkimet, por vetëm mbrëmjen e sotme u bë e mundur gjetja e trupit.
Policia është duke vijuar punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.
Njoftimi i plotë:
Më datë 18.03.2021, në vendin e quajtur “Mali i Tyrbes”, Lezhë, është gjetur një kufomë e dekompozuar, e parregullt nga ana strukturore.
Nga verifikimet e kryera nga ana e Policisë ka rezultuar se trupi i përket shtetases A. Gj., 63 vjeçe, banuese në Lezhë.
Kjo shtetase ishte shpallur e humbur, pasi më datë 25.02.2021, bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Gj. ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Lezhë, për largimin e saj nga banesa.
Shërbimet e Policisë Lezhë, pas marrjes së kallëzimit, kanë vijuar në mënyrë të pandërprerë kërkimet për gjetjen e saj.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të vdekjes.