Prokurorët në Qarkun Fulton të shtetit të Xhorxhias kanë filluar një hetim penal lidhur me përpjekjet e ish-Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve në këtë shtet.
Hetimi përfshin një telefonatë që ai i bëri Sekretarit të Shtetit Xhorxhia, Brad Raffensperger, në të cilën i bëri presion zyrtarit që të gjente vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin.
Një prokurore demokrate e zgjedhur kohët e fundit në këtë qark, u dërgoi një letër zyrtarëve të shtetit, përfshirë zotit Raffensperger, ku kërkon që ata të ruajnë dokumentet lidhur me telefonatën e zotit Trump. Në letër thuhej qartë se kërkesa ishte pjesë e një hetimi penal, sipas një zyrtari, i cili kërkoi të mbetej anonim.
Hetimi vjen ndërsa zoti Trump përballet me një gjyq të dytë në Senat me akuzën e “nxitjes së rebelimit” për rolin e tij në trazirat në Kapitol më 6 janar. Dhuna e asaj dite erdhi pas disa javë pretendimesh të rreme të ish-presidentit se mashtrimi zgjedhor e privoi atë nga fitorja, duke përfshirë shtetin e Xhorxhias ku ai humbi me rreth 12,000 vota më pak./VOA tpz.al