Gjashtë vite pas rrëmbimit dhe zhdukjes së Enver Stafukës, gazetarja Klodiana Lala paralajmëron trazim ujërash.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lala shkruan se në 40 minuta rrëfim, para se të zhdukej, Stafuka ka folur për shumë krime e shumë autorë.
Në një prej tyre, Lala shkruan se Stafuka ka treguar edhe emrin e personit që e pagoi për të vrarë një biznesmen, ngjarje e ndodhur në vitin 2011.
“Në 40 minuta rrëfim para se të zhdukej Enver Stafuka flet për shumë krime e për më tepër autorë e urdhërues të tyre. Në veçanti për një vrasje të ndodhur në 2011 ai rrëfen emrin e njeriut që e pagoi të vriste një biznesmen. Prisni se do dëgjoni shumë… sa shumë ujëra do të trazohen,”– shkruan gazetarja Klodiana Lala.
Kush ishte Enver Stafuka?
Enver Stafuka u rrëmbye dhe u zhduk pa gjurmë më 9 shkurt të vitit 2015. Disa persona të maskuar të veshur si policë e rrëmbyen në qendër të qytetit të Fushë-Krujës personin që vodhi makinën ‘BMË’ nga ku u qëllua për vdekje komisari Dritan Lamaj.
50 sekonda, kaq ishte koha që iu duhej rrëmbyesve për të hequr qafe njëherë e mirë… një nga emrat kyç të dosjes së zbardhjes së vrasjes së komisarit.
Policia e Durrësit, u kujdes që kërkimet dhe hetimet të mbaheshin top sekret, ndërsa edhe sot, pas 6 vitesh, askush nuk di më të thotë se kush e mori Stafukën dhe se çfarë u bë me të.
Për çfarë është akuzuar Stafuka?
Babai i 4 fëmijëve është arrestuar mbrëmjen e 27 majit 2013 në qytetin e Fushë-Krujës, si bashkëpunëtor i dyshuar në vjedhjen e automjetit BMË, nga i cili u ekzekutua mbrëmjen e 25 shkurtit, kryekomisari Dritan Lamaj.
Por Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e liroi si të pafajshëm Stafukën, më 13 nëntor të vitit 2013.
Familja e Stafukës ka akuzuar për vite me radhë një person për zhdukjen e Stafukës, por asgjë nuk është vërtetuar.
Gazetari Artan Hoxha ka thënë më herët se ekziston një video e rrëmbimit të Enver Stafukës, ku ky i fundit ka treguar 31 vrasje me pagesë, shumë të bujshme në Tiranë.Tpz.al