Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen si evropianë për të gjetur një kompromis. Gjatë një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, ai u shpreh se vetëm në këtë mënyrë, Prishtina dhe Beogradi do të kthehen drejt një të ardhmeje evropiane.
“Unë i ftoj Kosovën dhe Serbinë për tu angazhuar si evropianë në gjetjen e një kompromisi që do t’i bëjë Beogradin dhe Prishtinën të kthehen drejtë një të ardhmeje evropiane”, ka thënë Macron, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, para Pallatit Elysee.
Më tej, Macron ka thënë se Kosova ka një interes të veçantë për Bashkimin Evropian dhe se Kosova do të ketë mbështetjen e shtetit të Francës në të gjitha proceset që do ta çojnë përpara këtë vend.
Nga ana e tij, Albin Kurti është shprehur mirënjohës për gjithë kontributin që ka dhënë Franca për Kosovën. Ai mes tjerash ka ftuar të parin e shtetit francez edhe për vizitë në Kosovë.
Kurti në oborrin e pallatit Elysee, siguroi Macronin se Kosova po ndjek nga afër zhvillimet në Bruksel, sidomos pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të presidentit amerikan Joe Biden.
“Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet, me pjesëmarrje më drejtpeshuar dhe me besim më të lartë. Ndihem i nderuar që kam mundësinë të flasë me ju për zhvillimet tona. Shteti ynë i vogël ka për mision shtetin e së drejtës, me të njëjtin cilësi si shtetet e mëdha demokratike, ku bën pjesë edhe Franca. Nuk ka asnjë fushë ku Kosova nuk mund të përfitojë nga Franca dhe unë ju ftojë ta vizitoni Kosovën”, ka thënë Kurti.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka qenë personalisht i përfshirë në përshpejtimin e procesit të arritjes së një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë por edhe të proceve tjera në Ballkanin Perëndimor.