Foto/ Vrasja e 19-vjeçares shqiptare nga bashkëshorti, qytetarët në Mal të Zi ngrihen në protestë

Në Mal të Zi qytetarët janë mbledhur pasditen e së dielës në një protestë paqësore pas vrasjes së 19-vjeçares Sheila Bakija. Protesta u mbajt përpara ndërtesës së policisë në Tuz dhe u organizua nga disa organizata jo-fitimprurëse.

Në një deklaratë, organizuesit kërkuan që të nisin urgjentisht hetimet për rastin e të resë e cila dhunën nga bashkëshorti e kishte raportuar në polici.

 

Me organizimin e protestës, siç bënë të ditur, qëllimi i tyre ishte mbështetja e familjes së 19-vjeçares së vrarë në kërkimin e drejtësisë dhe për të parandaluar rastet e tjera të tragjedisë për shkak të dhunës në familje.

“Ne i kërkojmë Administratës Policore, Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi dhe Zëvendëskryeministrit për Sigurinë, Dritan Abazovic, të fillojnë një hetim urgjent për këtë rast të dhunës ndaj grave, i cili përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një të reje, pavarësisht faktit se dhuna është raportuar në polici,” thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, policia është në kërkim të Ilir Gjokajt i cili shkoi në shtëpinë e familjes Bakija duke qëlluar këdo që i doli përpara. Si pasojë e të shtënave mbeti i vrarë edhe gjyshja e vajzës kurse i ati është plagosur rëndë.

Author: admin