Publikohet fotoja e Taulant Gjikajt, 31-vjeçarit të ekzekutuar mesditën e sotme në afërsi të Gjykatës së Apelit në Vlorë. Burime bëjnë me dije se ai përdorte dy mbiemra pasi njihej edhe si Taulant Beqiraj.
31-vjeçari është djali i një ish-punonjësi policie dhe njihej si person me rekorde kriminale. Pas vrasjes, në momentin e këqyrjes së vendit të ngjarjes policia i ka gjetur në brez edhe një armë zjarri tip pistoletë. Gjikaj rezulton të jetë arrestuar dy herë nga policia, ndërsa mësohet se në një prej rasteve ai është kapur me armë në makinë.
Ndërkohë personi i shoqëruar nga policia i cili dyshohet të ketë lidhje me ngjarjen është identifikuar si Andi Jonuzaj. Ai u kap nga forcat “Shqiponja” në një automjet tip “Ford” me të cilin dyshohet se është larguar autori.
Vrasja që tronditi Vlorën ndodhi mesditën e sotme, pasi një person doli nga një automjet duke qëlluar në drejtim të viktimës me breshëri plumbash. Gjikaj u dërgua menjëherë në spital por nuk mundi të mbijetojë për shkak të plagëve të marra.