Ish-kryetari i KQZ dhe konstitucionalisti Kristaq Kume thotë se procesi i zgjedhjeve të 25 prillit është një test i rëndësishëm për demokracinë, ndaj sipas tij duhet që të gjithë duhet të angazhohemi për të mbrojtur demokracinë.
Një shqetësim që ngriti Kume në një takim me Presidentin, Ilir Meta është problemi që mund të shkaktojë pandemia, por edhe vota e emigrantëve, që sipas tij mund të keqpërdoret.
“Lidhur me problemet që do shkaktojë pandemia, duhet parë me shumë seriozitet, sa i takon marrjes së masave për të garantuar pjesëmarrjen sa më të lartë të zgjedhësve në proces.
Shoh mundësinë e një keqpërdorimi të votës së emigrantëve. Fakti që nuk është realizuar kjo e drejtë, kjo nuk flet për mirë.
Edhe ju z.President i keni bërë thirrje qytetarëve për të trajtuar problemin e kartave të identitetin, që duhet vlerësuar maksimalisht, nëpërmjet një fushate sensibilizuese.
Është me rëndësi të angazhohemi të gjithë për të garantuar një proces zgjedhor me standarde, për të mbrojtur çdo votë dhe për të ndaluar qysh sot çdo përpjekje për ta prekur atë”, tha Kume.