Flamuri shqiptar është ngritur lart të shtunën mbrëma në Beograd, në arenën ku po mbahet Botërori i boksit amator.
Shfaqjen e flamurit shqiptar e ka mundësuar boksieri i Shqipërisë, Alban Beqiri që fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 71 kilogramë.
Kur u thirr emri i Beqirit që ai të ngjitet në podium, ka pasur fishkëllima të shumta të tifozëve serbë në palestër. Ai është fishkëllyer vazhdimisht, por ka bërë krenarë gjithë shqiptarët me sukses në Botërorin ku Kosova nuk u lejua të marr pjesë.
Të artën në kategorinë e Beqirit e fitoi ukrainasi, Yuri Zakharieiev. Rusi Vadim Musaev e fitoi të argjendtën, ndërsa të bronztë pos Beqirit fitoi edhe azerbajxhanasi, Sarkhan Aliyev.