Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi ka bërë të ditur që mjeku nga Podujeva, Ibrahim Hoti është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Kjo erdhi pas publikimit të videos nga mediat kosovare, ku Hoti shihet se nuk i dha ndihmë mjekësore një pacienti të moshuar. Ai do të mbahet në paraburgim për 48 orë, deri në një vendim tjetër.
Njoftimi i plotë nga Prokuroria Themelore:
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin se pas publikimit të pamjeve në media, lidhur me një rast i cili ka ndodhur sot, konkretisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, ku disa pacientë nuk marrin shërbime shëndetësore nga ky institucion, Prokurori i Shtetit, menjëherë ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, duke iniciuar rastin si “Mosdhënia e ndihmës mjekësore”, nga neni 255 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është intervistuar i dyshuari-mjeku me inicialet I.H., në drejtim të veprës penale të lartcekur dhe i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.? Ndërkohë, Drejtori i Shëndetësisë në Podujevë, Driton Veliu ka lajmëruar që mjeku, Ibrahim Hoti është suspenduar nga puna pasi refuzoi të jap shërbime shëndetësore një të moshuari.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Podujevës ku pulmologu Ibrahim Hoti, nuk i ofroi shërbim pacientit të moshuar me arsyetimin se tashmë është bërë ora 15:05 minuta, ndërsa ai kishte përfunduar orarin në ora 15:00.