Në makinën e viktimës edhe efektivi i antidrogës. Birçajt iu gjet një armë zjarri në makinë, atentatorët nuk lanë asnjë gjurmë në vendngjarje Vrasja e Bledar Birçajt, ndodhur mesditën e djeshme në mes të Vlorës ka bërë që ekspertët e policisë të hapin letrat e lëvizjeve të tij! Pas marrjes së dhjetëra dëshmive mësohet se ndër të tjera hetimet janë përqendruar jashtë vendi. Nga Spanja, Belgjika e deri në Holandë, mësohet se po kërkohen autorët dhe paguesit për eliminimin e vlonjatit. Burime të besuara nga policia bëjnë me dije se ka dyshime të forta se ekzekutimi i tij të jetë porositur nga jashtë vendi, ndërkohë që janë kërkuan informacione shtesë nga policitë dhe shërbimet e vendeve ku ka dyshime të jetë përfshirë në pazare viktima. Referuar të njëjtave të dhëna bëhet e ditur se Birçaj ishte kthyer së fundmi nga Spanja ku kishte qëndruar pak kohë ndërkohë që të afërmit e tij të pyetur në lidhje me ngjarjen nuk kanë mundur të japin detaje që i duhen hetimit. Policia antidrogë në makinën e viktimës! Përveç detajeve të reja që kanë dalë nga hetimet e ngjarjes së rëndë që u shënua ditën e djeshme në Vlorë, policia ka bërë me dije se shoqëruesi i viktimës ishte një efektiv i skuadrës së antidrogës. Ai bëhet me dije se në dëshminë e tij ka pranuar faktin se është mik i familjes së Birçajt dhe se ndodhej me të pasi kishin konsumuar një kafe bashkë. Policia e ka lënë të lirë kolegun e antidrogës i cili sipas të dhënave do të jetë në dispozicion të hetimit për një kohë të gjatë. Burimet policore dëshmojnë se dyshimet e para lidhen me larje hesapesh për shkak të trafikut të lëndëve narkotike. Prokuroria ka kërkuar rihapjen e disa dosjeve të vjetra që kanë personazhe që lidhen me emra të njohur të botës së krimit që kanë patur aktivitetin në këto tre shtete. Po ashtu bëhet me dije se policia i është rikthyer edhe njëherë tjetër trafikut vendas të drogës për të gjetur shkaqet e ekzekutimit të të riut. Trafiku i drogës nga Vlora Vetëm pak ditë më parë, mediat italiane lëshuan alarmin e trafikut të drogë nga Vlora. Dje një skaf u ndoq gjatë nga një sërë shërbimesh antidrogë që u nis sërish nga Vlora, ndërkohë që bregdeti i këtij qyteti por edhe zonat e thella prej më shumë se gjashtë vitesh janë kthyer në një vendgrumbullimi dhe trafikimi droge të pakonkurrueshëm. Sipas të dhënave hetimore që vijojnë me zbardhjen e atentatit ndaj pronarit të The Boss mësohet se veç të tjera, një pistë hetimi është edhe dyshimi i përfshirjes së Birçajt në këto trafiqe. Por policia është kthyer pas edhe në një ngjarje në të cilën ka qenë përfshirë viktima shumë vite më parë. Pavarësisht se është vetëm një pistë e dyshuar, policia po gjurmon çdo detaj që lidhet me jetën e djalit që u ekzekutua dje në mënyrë demonstrative në mes të qytetit! Lumë plumbash mbi shënjestrën Kamerat e një biznesi në afërsi të së cilit ishin vendosur atentatorët ka fiksuar gjithë ngjarjen! Policia i ka marrë pamjet duke u përpjekur të krijojë një identikit të vrasësve ndonëse ata kanë qenë të kamufluar me maska të zeza. Sipas të dhënave të dy atentatorët kanë qenë me kallashnikov dhe kanë qëlluar të dy me idenë që shënjestra e tyre të mos shpëtonte. Në vendin e ngjarjes janë grumbulluar një mori gëzhojash, ndërsa në mjetin e Birçajt është gjendur edhe një armë zjarri që mendohet që i përkiste viktimës. Referuar pamjeve por edhe policisë, mësohet se viktima e ka patur të pamundur vijimin e rrugës, pasi autorët kanë qëlluar drejtpërdrejt në anën e tij duke i dhënë goditje ballore. Efektivi i antidrogës që gjendej në makinë me të nuk ka mundur të manovrojë nga breshëria e plumbave, por është ulur poshtë sediljes duke u mbrojtur me derën e mjetit e për fat ka mundur të mbijetojë. Njërit nga autorët i ra arma në tokë, teksa tentonin të hynin në makinë, por nga frika e identifikimit të gjurmës së gishtërinjve ai u kthye dhe e mori armën me vete. Më pas hynë në mjetin e tyre luksoz dhe u larguan, për të mbetur si gjithnjë ‘në drejtim të paditur”!/A.A/PASYRA.AL