Rreth 25 persona janë shoqëruar gjatë natës në Elbasan në lidhje me atentatin ku mbeti i vrarë 41-vjeçari Everest Çeka dhe u plagos bashkëshortja e tij.
Sipas News 24 personat janë shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tyre rreth dinamikës së lëvizjes së viktimës dhe gruas së tyre.
Ndërkohë që nuk përjashtohet se disa prej të shoqëruarve mund të kenë dijeni për ngjarjen në fjalë dhe organizimin e vrasjes.
Paraprakisht dyshohet se krimi është kryer nga vrasës profesionistë me pagesë dhe se gjithçka ka qenë e mirëorganizuar dhe e detajuar deri në eliminimin e objektivit.
Skena e krimit nuk është fiksuar nga kamera sigurie pasi në atë zonë ku ndodhi vrasja nuk ka të tilla dhe ndriçimi rrugor është mjaft i dobët.
Dëshmia kyçe deri më tani mbetet ajo e bashkëshortes së viktimës, Silvana Çeka, që mbeti e plagosur si edhe një banor i lagjes “Skënderbej” që ndodhej rastësisht aty pranë në makinën e tij duke pritur për të shoqëruar të ëmën e tij për ta shoqëruar në banesë.
E SHKUARA E VIKTIMËS
41 vjeçari Everest Çaka u ekzekutua brenda makinës së tij ku ndodhej bashkë me bashkëshorten, ndërkohë që kjo e fundit ka mbetur e plagosur lehtë.
Everest Çaka rezulton të ketë ndryshuar edhe emrin, ndërsa quhej edhe Ibrahim Çaka. Ai dyshohet të jetë përfshirë në trafikun e drogës edhe në Belgjikë.
Everest Çaka rezulton të jetë i akuzuar më herët për një vrasje të ndodhur në vitin 2010, ku humbi jetën shoferi i autobusëve Gëzim Alikaj, për të cilën nuk u dënua.
Në prangat e Policisë ranë në atë kohë, Ibrahim Çaka, Elton Hyka si dhe Ardit Spahiu, që të tre banorë të Elbasanit. Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohej vrasja e vëllait të viktimës së sotme në një disko në Barcelonë në vitin 2007.
Vrasja e Arjan Spahiut në Belgjikë.
Gjatë këtij viti u ekzekutua në Belgjikë, Arjan Spahiu, djali i tezes së Everest Çakës, i cili mbeti i vdekur mbrëmjen e sotme.
Spahiu rezulton të ketë lidhje familjare me një tjetër personazh të botës së krimit në Elbasan, Erion Alibej, kunati i motrës së tij.
Alibej është i arrestuar tashmë si porositës i disa atentateve në Elbasan.
Ai dyshohet se është organizator dhe porositës i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në korrik 2020, teksa ka dyshime të forta se pikërisht ky person ka gisht dhe në vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.