Ekspertët e OBSH hedhin poshtë teorinë se koronavirusi doli nga një laborator në Wuhan

Hetuesit ndërkombëtarë të cilët kanë hulmtuar rreth origjinës së virusit Covid-19, duket se e kanë hedhur poshtë teorinë se virusi ka dalë nga një laborator në Wuhan të Kinës.

OBSH ende nuk e ka identifikuar origjinën e virusit, por një ekip i kësaj organizate ka investiguar në përpjekje për të mbërritur në një konkluzion.

Kryesuesi i misionit të OKB-së, i cili po investigon origjinën e koronavirusit, Peter Ben Embarek, ka deklaruar se është “jashtëzakonisht e pamundur”, që virusi të ketë dalë nga një laboratori i Wuhanit.

Ai i tha mediave, se investigimi i grupit të OBSH, ka zbuluar të dhëna dhe informacione të reja, por ato nuk e ndryshojnë në mënyrë të qenësishme apo dramatike, perceptimin që ne kemi për nisjen e pandemisë.

Ekspertët mendojnë se virusi ka gjasa të ketë ardhur nga kafsha tek njeriu, por ende nuk e kanë të qartë se si ka ndodhur kjo gjë.

Embarek deklaroi se puna e deritanishme për të identifikuar origjinën e virusit, të çon drejt një rezervuari natyror të lakuriqëve të natës, por se nuk është shumë e mundshme që kjo të ketë ndodhur në Wuhan. Ideja që prevalon për momentin, është se virusi mund të ketë kaluar fillimisht nga lakuriqi i natës tek një specie tjetër ndërmjetësuese dhe më pas tek njeriu.

Një nga anëtarët e ekipit të OBSH-së, duke folur pë BBC, u shpreh se fokusi i origjinës së Covid-19 mund të spostohet drejt Azisë Juglindore.

Ne kemi bërë shumë punë në Kinë dhe nëse mund të krijojmë një hartë, fillon të të çojë drejt kufirit dhe ne e dimë se ka shumë pak mbikqyrje në anën tjetër, në të gjithë rajonin e Azisë juglindore“, tha ai.

Për një kohë të gjatë, kanë ekzistuar teori të shumta, se virusi Covid-19 ka dalë nga një laborator në Wuhan, por me sa duket, sipas deklarimeve paraprake të ekspertëve të OBSH, një gjë e tillë është thuajse e pamundur.

Author: admin