Nga Dario Ronzoni
“Linkiesta”
Gjithçka nis me një makinë të forcave të armatosura gjermane që ndalet pranë Universitetit të Tybingenit në fillim të vitit 2018. Sapo panë targën, kalimtarët e rastit u shqetësuan: qyteti dhe veçanërisht kampusi (me një prirje drejt së majtës) ishin të njohur për armiqësinë e tyre ndaj ushtrisë dhe organeve të sigurisë kombëtar.
Mbi të gjitha, në atë kohë kishte pasur protesta kundër ngritjes në qytet të një qendre kërkimore për inteligjencën artificiale. Do të ishte një nga më të mëdhatë në kontinent, por që do të përfshinte edhe prodhuesit e armëve në zonë. Gjë që ishte e papranueshme për popullatën studentore.
Por atë ditë zyrtarët e ushtrisë ishin atje për një arsye tjetër. Siç e shpjegon një artikull i gjatë dhe i pabesueshëm në “The Guardian”, atyre iu desh të përcaktonin detajet përfundimtare të projektit “Cassandra”, një nga nismat më të çuditshme të ndërmarra ndonjëherë kohët e fundit dhe pikërisht për këtë arsye, një nga më të guximshmet.
Ushtarakët donin të krijonin një urë bashkëpunimi me një grup profesorësh universitarë, në mënyrë që këta të fundit t’i ndihmonin ata me mjetet e tyre, që të parashikonin shpërthimin e trazirave dhe luftërave në nivel ndërkombëtar. Asgjë të re, përveç faktit se në vend se t’i drejtoheshin politologëve apo shkencëtarëve të Inteligjencës Artificiale, ushtarakët po bisedonin me profesorët e letërsisë.
Basti ishte pikërisht ky:A mund të kuptohet fati i një shoqërie përmes librave që botohen, që shpërndahen apo censurohen? A është e vërtetë, në një kuptim të caktuar se shkrimtarët janë në gjendje të kuptojnë zhvillimet që nuk kuptohen nga shumica e njerëzve? Pra me pak fjalë:A janë ata të aftë të shohin përtej së tashmes?
Loja e përputhjeve midis parashikimeve që përshkruhen në romane, shpesh trillime shkencore dhe ngjarjeve që ndodhën në vitet pasuese është shumë sugjestionuese. Për shembull,armët bërthamore u parashikuan nga Uells që në vitin 1914.
Apo rasti i shkrimtarit anglez Xhon Bruner që në librin e vitit 1968 “Të gjithë në Zanzibar”, flet për Bashkimin Evropian që u krijua më vonë, rënien e industrisë së makinave në Detroit të SHBA-së, rritjen e Kinës si një fuqi globale, dhe fitoren në Shtetet e Bashkuara të “presidentit Obomi”.
Edhe me rastin e pandemisë së Covid-19, u gjetën gjurmë dhe parashikime për mbylljen e vendeve në karantinë, për mbajtjen masive të maskave dhe për koronavirusë të arratisur nga laboratorët që kanë një siguri maksimale.
Llogaritja e rastësive – ndërthurja e papritur e fantazisë dhe realitetit – është argëtuese. Por a ka kuptim krijimi i një projekti serioz rreth së ashtuquajturës “ndjeshmëri”e një shkrimtari, përveç pagimit të parave të taksapaguesve? Me sa duket, për disa ushtarakë gjermanë përgjigjja është:po.
Pas takimit me ushtarakët, grupi i profesorëve i udhëhequr nga profesori i letërsisë krahasuese Jyrgen Verteimer, ishte i pavendosur nëse do ta bënte apo jo publik këtë bashkëpunim. Ata kishin frikë nga reagimi kundër i studentëve, të cilët kanë qenë gjithnjë shumë të ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve të organeve qeveritare.
Dhe siç ishte logjike, ky projekt u prit nga një valë skepticizmi dhe me ironi. Por Verteimer mendoi të kundërtën. Ai ishte ndër të parët që e përqafoi idenë, gjithmonë i bindur se letërsia është “një sizmograf social”.
Në vitin 2014 ai i shkroi një letër Ursula Von der Lejen, asokohe Ministre e Mbrojtjes në Gjermani, duke i tregtuar se dhuna që shpërtheu në Nigeri për shkak të organizatës ekstremiste “Boko Haram” ishte parathënë nga një seri sulmesh ndaj librave, bibliotekave dhe shkollave.
“Studimi i fjalëve dhe letërsisë në përgjithësi,mund të bëjë të mundur parashikimin e konflikteve, dhe nëse është e nevojshme, parandalimin e tyre”-e përfundoi letrën ai.Von der Lejen nuk iu përgjigj kurrë Verteimer. Por profesori nuk u dorëzua:ai nisi të organizoje takime dhe diskutime për të përcaktuar një projekt të mundshëm bashkëpunimi.
Gjatë viteve 2015-2017 profesori pati takime me zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes për të hartuar projektin “Cassandra”. Në verën e vitit 2017, kur gjërat dukej se po ecnin, ai krijoi një ekip ku bënte pjesë edhe Florian Roge, një doktorant mbi botimet anti-demokratike nga koha e Republikës së Vajmarit dhe koleges së tij Izabel Holc.
Rasti ishte unik. Në mungesë të precedentëve apo modeleve të referencës, ishte e nevojshme të shpikej nga e para metoda e hetimit dhe analizës. Leximi i të gjithë librave të botuar – mijëra dhe shpesh në gjuhë të panjohura prej tyre – ishte një mision i paimagjinueshëm.
Të menduarit mbi një sistem për katalogimin e evolucioneve leksikore (për të kuptuar shkallën më të madhe ose më të vogël të agresionit), ishte një punë shumë e madhe dhe e pamjaftueshme, pasi nuk do të kishte qenë në gjendje që të kuptonte metaforat dhe përdorimet e specializuara të gjuhës.
Në këto kushte, ekipi i projektit “Cassandra”u fokusua tek studimi i të ashtuquajturës “infrastrukturë letrare”. Kjo do të thotë, të kuptosh se çfarë ndodh rreth një libri, duke studiuar recencën mbi të dhe duke analizuar reagimet si në nivelin politik ashtu edhe në atë shoqëror.
Edhe këtu ishte e nevojshme të bëheshin kërkime. Rezultoi se zgjidhja ishte jo fokusimi tek leximi i romaneve, por i kritikës dhe protagonistëve të skenës letrare në zonën në fjalë, për të kuptuar reagimet dhe mendimet.
Uole Sojinka, shkrimtari nigerian, ishte shumë i entuziazmuar të ndihmonte grupin, duke siguruar kontakte me autorë të tjerë, dhe vlerësime në media mbi botime të caktuara. Shkrimtarë të tjerë ishin të gatshëm ta takonin ekipin në ambasadat e tyre përkatëse, apo në vendet neutrale si Paris dhe Madrid. Madje, shumë prej tyre paguan nga xhepat e tyre.
Rezultatet e para dolën brenda disa muajsh. Në një analizë retrospektive, rezultoi se situata e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës ishte përkeqësuar që nga vitet 1980. Kjo u kuptua nga vëmendja e madhe që iu kushtua në atë kohë dramave të shkrimtarit serb Jovan Raduloviç, i cili në vitin 1983 kishte inskenuar një masakër të kryer kundër serbëve nga ustashët kroatë.
Ose fakti që 3 vjet më vonë u urdhërua dëbimi i të gjithë shkrimtarëve jo-serbë nga shoqatat kombëtare të vendit, ndërsa në dekadat në vijim nuk u botuan më romane me histori të miqësisë apo dashurisë midis personazheve serbë dhe shqiptarë, por ri-interpretime revizioniste të historisë të vendit.
Teza përfundimtare ishte e thjeshtë: konflikti i vitit 1998 ishte paraprirë dhe përgatitur në kohë edhe përmes një pune intensive kulturore dhe editoriale. Ministria gjermane e Mbrojtjes ishte e kënaqur me kërkimin. Metoda ishte premtuese.
Tani ekipi i Verteimer duhej të përqendrohej në një punë parashikuese, dhe jo më në rindërtimin e fakteve historike. Ai zgjodhi Algjerinë. Në vitin 2017, ky vend cilësohej i qëndrueshëm dhe i fortë, nuk ishte prekur nga Pranvera Arabe, dhe tregoi norma të ulëta të pjesëmarrjes në protesta.
Megjithatë bota letrare sugjeronte se diçka po lëvizte. Shenjat ishin të ndryshme:disa romane filluan të flasin për demonstrata të dhunshme të shpërndara më forcë nga policia, ribotimi i ditarit të Said Sadi, që mori pjesë në Rebelimin e Berberëve të vitit 1980bëri bujë, ndërsa romani i Bualem Sansal“2084” i botuar në vitin 2015, përshkruan një botë dystopike ku imponohet me forcë një diktaturë fetare.
Kjo e fundit ishte shumë domethënëse, pasi librat e Sansal janë ndaluar në Algjeri që nga viti 2006, por lexohen ende me shumë interes fshehurazi. Trazirat e vitit 2019, të cilat çuan në dorëheqjen e Buteflikës,provuan sërish se kjo metodë funksionon.
Parashikimet kishin rezultuar të sakta, por siç rrëfen vetë Verteimer, nuk kishte asnjë metodë për të përkthyer në një kod të qartë,një situatë që deri atëherë ishte thjesht një ndjenjë. U propozua një sistem matës nga 1 në 12, për të përcaktuar shkallën e rrezikut të elementëve të marrë në analizë.
Por ai ishte një klasifikim arbitrar, joshkencor, dhe në planin afatgjatë krejtësisht i padobishëm. Premisat ishin të mira, dhe ideja shumë magjepsëse. Por në një nivel operacional, kufijtë ishin të pakapërcyeshëm. Ndaj projekti “Cassandra” u pezullua në vitin 2020.
Nuk pati kurë një shpjegim zyrtar për këtë gjë. Sipas disa studiuesve, shkaqet duhet të gjenden tek shpërthimi i pandemisë së Covid-19, që shteroi fondet. Apo tek transferimi diku tjetër i disa prej zyrtarëve më entuziastë ndaj këtij projekti.
Por nuk mund të përjashtohet fakti që mund të ketë ndikuar mallkimi i emrit që mbart projekti:Kasandra. Siç dihet, në mitologjinë greke Kasandra ishte priftëresha e Apollonit e cila kishte fuqi parashikuese, por që më pas u dënua në mënyrë që të mos besohej më kurrë nga njerëzit. / Perktheu:bota.al