Një nënë e bir nga Rahoveci i Kosovës kanë ndërruar jetë ditën e sotme si pasojë e infektimit me virusin Covid-19. Nëna 85-vjeçare dhe djali 50-vjeçar nga Ratkoci i Rahovecit nuk arritën që ta mposhtën koronavirusin.
Lidhur me këtë ngjarje ka folur edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Ai tha se të dy kanë vdekur brenda një dite dhe se ishin të prekur me koronavirus.
“Po sot dy qytetarë të fshatit Ratkoc të komunës së Rahovecit që ishin të prekur me koronavirus kanë vdekur. Bëhet fjalë për nënën dhe një djal të hendikepuar. Isha në varrimin e tyre dhe është një humbje e madhe për komunën”, ka thënë Latifi.
Në ndërkohë në 24 orët e fundit në Kosovë kanë vdekur nga virusi Covid-19 10 persona.
“Brenda 24 orëve janë raportuar 10 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Kamenicë 3 raste (71, 68, 62 vjeç), Rahovec 2 raste (85, 50 vjeç), Ferizaj 1 rast (81 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (78 vjeç), Pejë 1 rast (79 vjeç), Viti 1 rast (51 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (87 vjeç)”, thuhet në njoftimin 24-orësh të IKShPK-së.
Në ndërkohë gjatë kësaj periudhe janë shënuar edhe 705 raste pozitive me koronavirus.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.922 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 705 raste pozitive”, thuhet më tutje në njoftim.