Megjithëse kanë apartamentet e tyre në Tiranë, shumë deputetë nuk i deklarojnë ato pranë Kuvendit, me synim që të marrin trajtim financiar për udhëtimin dhe strehimin e tyre. Sipas Institutit të Studimeve Politike, ata përfitojnë nga 500 deri në 1100 euro në muaj.
“Pra, përmes deklarimeve formale (certifikata e regjistrim në zonat elektorale) ata zyrtarisht quhen të pastrehë në Tiranë dhe trajtohen si të tillë, megjithëse posedojnë në Tiranë apartamente, vila apo banesa të tjera private e familjare. Absurdi, sipas të cilit me taksat qytetare paguajmë shtrenjtë me çmime hoteli deputetë që flenë në shtëpinë e tyre të dytë/tretë private, meriton vëmendje dhe reagim institucional të menjëhershëm”, thuhet në reagim.
ISP vlerëson se kemi të bëjmë me spekulim në deklarim dhe shkelje flagrante të ligjit, përvetësim të paligjshëm të pagesave për akomodimin etj, vepër penale për të cilin çdo qytetar tjetër në RSH mund të penalizohet me burgim. Në rastin e deputetëve që kanë bërë deklarime të tilla, nuk ka pasur hetim dhe nuk ka praktikë aktuale hetimore. Rregullorja e Kuvendit dhe ligji mbi Statusin e Deputetit nuk përcaktojnë mekanizma verifikimi, por marrin të mirëqenë deklarimin e vetë deputetit, – duke proceduar direkt me pagesat mujore.