Dega e LSI-së në Berat, në Gjeroven, është shkrirë e gjitha dhe të 140 anëtarët e saj pritet t’i bashkohen Partisë Socialiste.
Ka qenë ish-kryetari i kësaj Dege, Krenar Shehu i cili është shprehur se e kishin marrë këtë vendim pasi kanë 10 vite pa përfaqësim.
Më herët, në Qarkun e Beratit LSI ka marrë dhe goditje të tjera. Ish-ministri Nasip Naço dhe ish-deputeti i LSI Gledion Rehovica deklaruan publikisht kalimin te socialistët.
Gjatë një mbledhjeje që është mbajtur sot në Gjeroven, kryetari i Degës së LSI atje Krenar Shehu, ka deklaruar dorëheqjen dhe është larguar nga LSI. Menjëherë pas tij, të gjithë anëtarët e tjerë kanë vendosur që në bllok të largohen. Pritet që ata t’i bashkohen PS pasi kanë thënë se kanë besim vetëm te Nasip Naço.
Edhe vetë ky i fundit pak kohë më parë deklaroi se “nuk është koha për eksperimente” dhe iu bashkua fushatës së socialistit Blendi Klosi në Berat.
“Unë si kryetar i LSI-së Gjeroven, pasi jam menduar gjatë, kam vendosur të largohem nga kjo parti politike. Ndihemi të papërfaqësuar pasi LSI është tallur me zonën e Gjerovenit. Duke nisur nga ish/kryetari i bashkisë që ishte kushëriri i Metës e deri tek listat e tanishme për deputete, verehen se në lista janë sërsish kushërinjtë e tij”, ka deklaruar Shehu.