Policia ka arrestuar në zonën e Alliasit në Tiranë një 39 vjeçar të shpallur në kërkim.
Shtetasi me iniciale A. Sh (M).,dyshohet se më datë 9 janar 2020, në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Prefekturës’, në qytetin e Peshkopisë, pas një konflikti të çastit ka goditur pesë herë me thikë shtetasin B. Z, 56 vjeç, punonjës policie, i cili në atë moment ndodhej jashtë kohës së shërbimit.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kryqëzimi”.
Operacioni nga Njësia Speciale FAST ALBANIA, në bashkëpunim me Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe Komisariatin e Policisë Nr.4, Tiranë.
Kapet në Allias dhe vihet në pranga 39 vjeçari, i kërkuar, për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, të një punonjësi të policisë.
Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri shoqërore, nga Njësia Speciale FAST ALBANIA, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër dhe Komisariatin e Policisë nr.4 Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kryqëzimi”.
Në kuadër të operacionit, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, në vendin e quajtur “Lagjia Allias” , Tiranë, është bërë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim A. Sh (M)., 39 vjeç, banues në Dibër.
Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi me datë 09 janar 2020, në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Prefekturës’, në qytetin e Peshkopisë, pas një konflikti të çastit ka goditur 5 herë me mjet prerës thikë shtetasin B. Z, 56 vjeç, banues në Dibër (punonjës policie i cili ndodhej jashtë kohës së shërbimit).
Ndaj shtetasit A. Sh(M), Gjykata e Rrethit Dibër, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë.
Materialet shtesë në ngarkim të 39 vjeçarit i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme.