Dy socialistë të thekur nga Durrësi kalojnë tek PD: Qyteti ka mbetur peng i Vangjush Dakos

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha këtë të premte ka pritur në një takim në zyrën e tij dy anëtarë të Partisë Socialistë, të cilët kanë shpallur publikisht votën e tyre për Partinë Demokratike.

Dy aktivistë dhe figura të rëndësishme të socialistëve në qytetin bregdetar i Durrësit, Serian Mazreku dhe Ardit Kërtusha në këtë takim janë shprehur të trishtuar për kapjen e qytetit nga ato që ata i quajnë interesat e ngushta të ish-kryebashkiakut Vangjush Dako.

Administrator i njësisë administrative Kënetë, Mazreku u ka bërë thirrje të gjithë të afërmve të tij të mbështesin PD-në dhe të mos pranojnë lëmosha, duke nënkuptuar shitjen e votës.

Ndërsa nga ana tjetër , ish-kryetari i FRESSH për qytetin e Durrësit dhe së fundmi Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Jetësimit të Prioriteteve në Bashkinë e Tiranës, Ardit Kërtusha është shprehur se Durrësi ka mbetur peng i interesave të Dakos.

 

Kërtusha përmendi arrogancën e Bashkisë Durrës, mungesën e shërbimeve për qytetarët dhe mbetjen e saj pa drejtues real. Dy socialistët u dukën shumë të revoltuar edhe me klimën brenda partisë në pushtet. Zyrat e PS-së Durrës sipas tyre janë uzurpuar nga të fortë dhe figura të botës së krimit. Alternativa që ofron PS, shprehen ata, është heshtja dhe largimi i të rinjve nga vendi.

Author: admin