Kandidati për deputet i LSI-së në Durrës, Shemsi Prençi, është takuar me disa përfaqësues të komuniteteve me aftësi të kufizuara në këtë qytet.
Në një postim në rrjetet sociale, Prençi shprehet se sinjalistika e posaçme (sipas kategorisë së aftësive të kufizuara), vertikale, horizontale dhe akustike është një nga problematikat kryesore, që i bën të jenë të rrezikuar dhe të përjashtuar nga bashkëjetesa në shoqëri.
Prençi shprehet se këto kategori nuk trajtohen me pagën minimale, ndërsa shoqëruesit e tyre nuk kanë trajtim me pagë apo siguracione, në të zezë dhe shpeshherë janë familjarët e tyre që sakrifikojnë për të ju lehtësuar jetën këtyre individëve.
“Zotohem që do të jem përkrahës dhe ndjekës i problematikave të tyre dhe zbatimit të ligjit për punësimin dhe përfshirjen e tyre në shoqëri!” përfundon Prençi.
Postimi i plotë:
Sot pata mundësinë dhe kënaqësinë të takoja disa përfaqësues të komuniteteve me aftësi të kufizuar në qytetin e Durrësit.
I dëgjova me shumë vëmendje problematikat e tyre të përditshme dhe u mahnita nga dëshira e tyre për të jetuar dhe luftuar krahas vështirësive të tyre, jo vetëm nga aftësia e tyre ndryshe por dhe nga papërgjegjshmëria dhe lënia në harresë e këtyre kategorive nga instancat shtetërore. Me statistikë ky komunitet përbën 6.5% të shoqërisë shqiptare sipas CENSUS-it të vitit 2011, por si pasojë e aksidenteve automobilistike kjo përqindje është akoma më e madhe.
Sinjalistika e posaçme (sipas kategorisë së aftësive të kufizuara), vertikale, horizontale dhe akustike është një nga problematikat e tyre kryesore që i bën të jenë të rrezikuar dhe të përjashtuar nga bashkëjetesa në shoqëri. Këto kategori nuk trajtohen me pagën minimale, ndryshe nga se propogandohet çdo ditë, ndërsa për shoqëruesit e tyre nuk ka trajtim me pagë apo siguracione, në të zezë dhe shpeshherë janë familjarët e tyre që sakrifikojnë për të ju lehtësuar jetën këtyre individëve.
Biseda me këto kategori përveç sadisfaksionit personal, më obligon të jem një zë dhe mbështetës i fort i tyre në parlamentin e ardhshëm! Zotohem që do të jem përkrahës dhe ndjekës i problematikave të tyre dhe zbatimit të ligjit për punësimin dhe përfshirjen e tyre në shoqëri!
Shemsi Prençi
LSI Durrës