Lideri i opozitës Lulzim Basha ka prezantuar ditën e sotme planin për turizmin.
Me sloganin “Shqipëria fiton për turizmin”, Basha u shpreh se më 25 prill vendi do t’i kthehet qytetarëve.
Turizmi do të trajtohet si një projekt madhor kombëtar. Çdo projekt i lidhur me turizmin do të jetë përparësi e PD”, kështu u shpreh gjatë fjalës së tij Basha.
Gjithashtu ai tha se PD do të rrisë kontributin e drejtpërdrejtë nga turizmi në ekonominë nga 8 në 10 %.
“Angazhohem të dyfishojmë kontributin në punësim nga rritja e turizmit në ekonomi 40.000 në 80.000 vende pune. Kjo do ta ndryshojë ekonominë tonë. Do t’u japë njerëzve punë dinjitoze dhe shpresë”, tha kryedemokrati.
Fjala e liderit të PD-së Lulzim Basha:
Të dashur qytetarë, kemi folur për ekonominë dhe se si Shqipëria më në fund mund të fitojë.
Kemi folur për shëndetësinë dhe se si Shqipëria do të fitojë. Javën e shkuar folëm për arsimin, çështjen më të rëndësishme për familjet tona, për fëmijët tanë dhe tani është e qartë për të gjithë se si Shqipëria do të fitojë. Shqipëria fiton kur ka një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten e saj. Shqipëria fiton kur qeveria angazhohet ndaj njerëzve për të zbatuar planet e saj.
Shqipëria fiton kur qeveria në fakt ka një plan konkret. Shqipëria fiton kur të sjellim 110.000 vende pune! Fiton kur të ngremë pagat e mjekëve dhe infermierëve tanë të palodhur! Pagat e arsimtarëve dhe pedagogëve. Shqipëria fiton kur fëmijët tanë të marrin arsimin më të mirë të mundshëm!
Të dashur miq. Sot ju prezantoj me krenari planin tonë për turizmin!
Ne jemi të bekuar me vendin më të bukur në botë. Kemi plazhe të mrekullueshme.
Kemi peizazhe madhështore, që nuk gjenden askund tjetër. Kemi kaq shumë për t’i ofruar botës, por që i japim kaq pak.
Nëse ne arrijmë potencialin tonë të vërtetë, do mund të bëjmë shumë gjëra të mëdha së bashku. Turizmi është një nga bazat e ekonomisë tonë. Si shumë fusha të tjera, edhe ai është lënë pas dore. Kur nuk ecën para, nuk mbetesh në vendnumëro, por rrëshqet prapa.
Shikoni vetëm vendet e Ballkanit rrotull nesh. Shikoni si lulëzon industria e tyre e turizmit. Ata kanë kuptuar pikërisht atë që kjo qeveri nuk e ka bërë kurrë: nëse investon në mënyrën e duhur, nëse vendos të kujdesesh për njerëzit dhe jo për veten, mund të arrish gjëra të mëdha! Niveli i punësimit në industrinë e turizmit, të ardhurat mesatare nga turistët dhe kohëzgjatja e sezonit turistik, janë të ardhurat më të ulëtat në rajon!
Kjo duhet të ndryshojë! Siç ju kam thënë gjatë javëve të fundit, këto që po ju prezantojmë nuk janë premtime boshe fushate. Janë angazhimet tona, janë angazhimi im ndaj jush.
Nëse dikush nuk i plotëson angazhimet, nuk meriton të rrijë në detyrë pas 4 vitesh dhe jo më të kërkojë një mandat të dytë apo të tretë. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë sepse ata nuk janë të pashpresë. Të dashur bashkëqytetarë.
Në muajt e fundit kemi punuar me specialistët më të mirë në industrinë e turizmit, si nga Shqipëria, ashtu edhe nga bota, për t’i sjellë Shqipërisë një plan pune konkret që do të ndryshojë të ardhmen e turizmit shqiptar. Më lejoni tani shkurtimisht t’ju prezantojë vetëm disa nga pikat se si Shqipëria do ta fitojë turizmin:
Unë angazhohem se ne do ta trajtojmë turizmin si një projekt madhor kombëtar. Çdo projekt i lidhur me turizmin, çdo investim i lidhur me të, do të marrë përparësi nga qeverisja jonë. K
jo është rruga për ta vendosur Shqipërinë të parën. Unë angazhohem të rrisim kontributin e drejtpërdrejtë nga turizmi në ekonominë tonë nga 8 në 10%
Angazhohem të dyfishojmë kontributin në punësim nga rritja e turizmit në ekonomi 40.000 në 80.000 vende pune.
Kjo do ta ndryshojë ekonominë tonë. Do t’u japë njerëzve punë dinjitoze dhe shpresë.