Denoncoi tenderin e uniformave, Murrizi paralajmëron padinë e radhës dhe ish-ministrin që do të çojë në SPAK: Tregoi projekte imagjinare…

Deputeti Myslim Murrizi i cili më herët denoncoi në SPAK tenderin e uniformave të policisë dhe vetëm pak ditë më parë u arrestuan 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, ka thënë sot se beson te drejtësia e re e ngritur nga amerikanët.

Ai deklaroi në “Frontline” se ka përgatitur të padisë në SPAK ish-ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, për një tender 6.6 milionë euro, duke thënë se nuk është bërë asnjë investim dhe vetëm projekte imagjinare.

Myslim Murrizi: Unë përderisa e kam denoncuar në SPAK sigurisht që kam besim, se është investim i SHBA, janë hedhur 5 milionë dollarë për Reformën në Drejtësi. Do të trokas në SPAK edhe nën kompetencat e kryetarit të partisë që unë përfaqësoj për çdo dokument që do të kem në dorë nga informacionet e qytetarëve. Do bëj padi të tjera në spak, ai i LSI-së, Panariti, 6.6 mln euro tender për kanalin e Tërbufit, nuk paska qenë ai…dërdëllisin ndonjë projekt imagjinar dhe nuk është hapur një rubinet. Uji i Tërbufit është i kripur. Do e padis në SPAK patjetër Edmond Panaritin. Tani së fundmi, 1.5 milionë euro, në kohë fushate është e ndaluar të japësh tendera. Ia ka dhënë qeveria e Ramës atij mikut të Bashës, sepse janë bashkë këta. Kur është PD në pushtet marrin tendera ata të PS, kur është PS në pushtet i marrin këta të PD. Këta rrinë në pushtet ne marrim paret. I bëj thirrje SPAK të hetojë për të gjitha prokurorimet e dhëna 16 vitet e fundit dhe të dali origjina e luksit dhe jetesës. Janë një grusht njerëzish të rreshtuar pranë dy kapove që kanë qeverisur vendin dhe kanë bërë namin me tenderat.

*

Tenderi për të cilin flet Murrizi ka të bëjë me financimin nga Banka Botërore në 2016 për rehabilitimin dhe modernizimin e infrastrukturës së digave dhe sistemeve të ujitjes në basenet Drini –Buna-Semani, Kukës (Tregtan 2, Tregtan 3 dhe Vranisht), në Berat (Duhanas, Belesovë), në Fier ( Kurjan, Strumë dhe Zharrëz), në Korçë (Koshnicë, Leminot), në Lushnje ( Diga e rezervuarit Murriz –Thanë).

Author: admin