Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, në konferencën për mediat ku foli pas ngjarjeve të rënda që kanë tronditur opinionin publik ditët e fundit, ka nxjerrë edhe emrat e disa prokurorëve dhe gjyqtarëve në Shkodër, Vlorë dhe Fier, që kanë dhënë masa lehtësuese për persona të rrezikshëm që janë arrestuar nga Policia e Shtetit.
Këto raste tha ministri, janë vetëm për muajin qershor.
Ministri Çuçi theksoi se ngjarjet e rënda me pasoja fatale, si aksidenti tragjik pranë Vlorës dhe vrasja e katërfishtë në Velipojë pas sherrit për shezlongët, kërkon reflektimin edhe të Policisë së shtetit, por sidomos nga prokurorë e gjyqtarë që çojnë në shtëpi të pandehurit e rrezikshëm.
“Policia e Shtetit përtej të metave e dobësive të saj e përtej përmirësimeve që duhet e do të bëhen, as nuk ndjek çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit e as nuk mund të parandalojë një sherr në 1 të natës midis dy fqinjëve.
Të dyja ngjarjet fatale kërkojnë një reflektim nga të gjithë pa përjashtim edhe të policisë së shtetit të cilës gjatë mandatit të tretë qeverisës do i vihen në dispozicion edhe dronë super inteligjentë e sistem modern monitorimi të rrugëve që gjeneron në kohë reale gjoba për shkelësit e kufijve të shpejtësisë.
Mbi të gjitha duhet të reflektojnë ata prokurorë e gjykatës që nuk kanë kaluar ende procesin e vetingut dhe që operojnë rëndomë me parimin “kap ca të kapësh”.
Se policia ndalon por nuk dënon shkelës kriminelë, ata i dënon gjykata.
Në muajin e fundit kemi shtrënguar masat kundër armëmbajtjes pa leje ku vetëm në këtë muaj, në qershor në tre raste si ai i Shkodrës, Vlorës e Fierit janë ndaluar në flagrancë nga policia për armëmbajtje pa leje 3 shtetas me precedentë të rrezikshëm penalë, shoqërisht të rrezikshëm madje në një rast njëri kishte edhe fishekë në fole gati për qitje, por fatkeqësisht prokurorët e gjyqtarët, si rasti i prokurores Edlira Cufi në Shkodër apo dyshja prokuror- gjykatës Elona Elvora dhe Albert Spiro në Vlorë, si dhe prokurorit Erind Rahovica e gjyqtarit Piro Sota në Fier, përkundër kushteve të flagrancës kanë dhënë masa lehtësuese duke çuar në shtëpi të pandehurit edhe pse minimumi i dënimit për këto vepra penale është tre vite heqje lirie”, tha Çuçi.