Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha po vijon konsultimet edhe me aleatët për hapat që do të ndjekë opozita pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve. Për këtë Basha takoi mbrëmjen e së martës kreun e Partisë Republikane Fatmir Mediu. Ky i fundit dha detaje për mediat pas bisedës.
“Jemi në një angazhim të përbashkët. Ishte një diskutim që bëmë për procesin e manipulimit të zgjedhjeve ku secili nga ne është i involvuar. Ajo që ka humbur sot është Shqipëria. Ka fituar një regjim i korruptuar që ka shpërbërë shtetin, vlerat dhe traditat e kësaj shoqërie dhe ka goditur vlerat e individit.
Unë nuk njoh asnjë manipulim qoftë edhe të një vote të vetme. Kur të dalë rezultati i asaj që ka ndodhur në Shqipëri do të ketë një qëndrim në lidhje me këtë çështje. Jemi në proces të këtij manipulimi të madh që ka ndodhur” – tha Mediu. Më herët Basha thirri deputetët e zgjedhur dhe ata që nuk mundën të merrnin një mandat në 25 prill.