Ish-deputeti i LSI Endrit Braimllari ka komentuar listën e kandidatëve për deputet të PS për zgjedhjet e 25 prillit.
“Lista e Rilindjes në Korçë me noterë të krimit, drejtorë të korruptuar dhe ushtarë të oligarkëve”, shkruan Braimllari në rrjetet sociale.
Postimi i plotë i Endrit Braimllarit:
Për mua është kënaqësi që jam sot në Kolonjë. Është kënaqësi e veçantë pasi edhe Kolonja në zgjedhjet e 25 prillit do të përfaqësohet në mënyrë dinjitoze nga LSI. Kandidaturën e parë e prezantuam 2 javë më parë me Kryetaren, që është doktor Ergini, që të gjithë e njihni. Pastaj kandidatura tjetër që përsëri për fatin tonë të mirë është nga Kolonja, është Leonsi. Kam nderin dhe kënaqësinë ta njoh jo vetëm këto kohë që po merret me LSI-në, por për një kohë të gjatë. Leonsi është pedagog, jep mësim në tre fakultete. Është pjesë e mësimdhënies për sa i përket shkencave të ekonomisë. Sepse sot më shumë se kurrë vendi ka nevojë për profesionistë të kësaj fushe, të ekonomisë, me qëllim që ta nxjerrim vendin nga kriza.
Përfaqësuesit e LSI-së në Kolonjë, por edhe në të gjithë qarkun e Korçës janë profesionistë, janë të rinj dhe të reja ekselentë, por mbi të gjitha janë pedagogë dhe doktorë të nderuar. Kjo tregon qartë që LSI në Kolonjë, por edhe në qarkun e Korçës ka një listë përfaqësimi dinjitoze, pikë së pari që nesër t’i shërbejmë qytetarëve të vendit.
E keni parë sesi është lista e Rilindjes. E fillojnë me noteren e krimit të organizuar, e vazhdojnë me drejtorë të korruptuar, që në këto vite e kanë rrjepur Korçën dhe të gjithë Shqipërinë. Vazhdojnë pastaj me Niko Peleshin, i cili kur ishte ministër bujqësie, mbahet mend si ministri më i paaftë i bujqësisë, që nuk solli një investim për zonën e tij elektorale.
Pra kemi përballë një listë dinjitoze dhe përfaqësuese, që do t’i shërbejë vendit, ta bëjë Kolonjën shtëpinë tonë. Ndaj edhe unë kam besim maksimal që 25 prilli do të jetë një ditë historike për vendin, sepse kjo listë përfaqësuese do ta çojë Shqipërinë dhe Korçën aty ku duhet.