Nga Klodian Tomorri
Ndërsa shumica e shqiptarëve ishin me pushime, Gjykata Administrative e Apelit ka marrë pa zhurmë një vendim që riaktivizon koncesionin famoz Thumanë-Kashar. Në datën 29 korrik, kjo gjykatë ka anulluar urdhrin e Ministrisë së Infrastrukturës për ndërprerjen e koncesionit 457 milionë euro. Por jo vetem kaq. Në vendim, Gjykata gjithashtu e urdhëron Ministrinë që t’i përcjellë për miratim Këshillit të Ministrave kontratën koncesionare me kompaninë Gener 2 të biznesmenit Bashkim Ulaj.
Vendimi i firmosur nga Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa është i formës së prerë. Tani qytetarët shqiptarë kanë vetëm një mundësi të shpëtojnë nga fatura shkatërruese e koncesionit Thumanë-Kashar. Qeveria duhet ta ankimojë vendimin në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë duke kërkuar pezullimin e ekzekutimit dhe prishjen e vendimit të Apelit. Gjithsesi vendimi ka hapur një skenar të rrezikshëm për financat e shtetit.
Ndër të gjitha koncesionet e famshme të Rilindjes, ai i rrugës Thumanë-Kashar është ndër më klamorozët. Kostoja e këtij koncesioni u fry me 2.8 herë krahasuar dhe me vet parashikimet e qeverisë. Fillimisht, qeveria parashikonte që ta ndërtonte vet rrugën Thumanë-Kashar nga buxheti i shtetit me një kosto totale prej 161 milionë euro. Por më pas, nisi gjahu.
Diku nga viti 2017, në tryezën e qeverisë mbërriti një propozim i pakërkuar nga kompania Gener 2 për të ndërtuar me koncesion autostradën Thumanë-Kashar. Qeveria e pranoi propozimin dhe në mars të 2018-ës e shpërbleu kompaninë me bonus 8.5 për qind të pikëve në garë. Tenderi për koncesionin u zhvillua në korrik të 2018-ës dhe ashtu sic pritej fituese e koncesionit u shpall Gener 2, e cila ofroi ta ndërtonte rrugën me 225.8 milionë euro. Por kjo ishte vetëm kostoja e ndërtimit, e cila nuk përfshinte mirëmbajtjen, koston e parasë për 13 vjet dhe fitimin e Gener 2.
Fatura totale, që do të paguanin qytetarët shqiptarë do të zbulohej në fund të vitit 2018. Në relacionin shoqërues të projektbuxhetit 2019, shifra ishte rritur nga 225.8 milionë euro në 370 milionë euro. Por marrëzia nuk do të mbaronte me kaq. Fatura rritej nga dita në ditë. Kur u miratua buxheti, qeveria zbuloi një kosto tjetër. Sipas saj rruga do të kushtonte 56.3 miliardë lekë ose 457 milionë euro. Pra nga 161 milionë euro në 457 milionë euro në më pak se një vit.
Megjithatë teksa qeveria po bëhej gati ta miratonte kontratën me kosto rekord, shqiptarët duket se i ndihmoi fati. Emisioni “Të Paekspozuarit”nga Ylli Rakipi shpërtheu skandalin e Unazës së Madhe të Tiranës, ku ishte shpallur fituese një kompani fantazmë, e cila kishte falsifikuar firmën e sekretarit të shtetit në Delaware.
Kompania quhej DH Albania dhe ishte një zgjatim i Gener 2. Me skandalin që i plasi në dorë, Edi Rama u detyrua të ndryshojë me urgjencë qeverinë duke emëruar si ministre të Infrastrukturës Belinda Ballukun. Por mediat vazhdonin të publikonin çdo ditë fakte të reja që tregonin se pas DH Albanias qëndronte në fakt Gener 2. E vënë përballë presionit, qeveria u detyrua të anullonte jo vetëm tenderin e Unazës, por edhe koncesionin 457 milionë euro të rrugës Thumanë Kashar.
Por tashmë koncesioni është riaktivizuar pas padisë së Gener 2. A është vendimi i Gjykatës së Apelit një veprim i pavarur për të vënë drejtësinë në vend? Në fakt, ky version duket pak i vështirë për t’u besuar. Kontrata e Thumanë-Kashar nuk u miratua asnjëherë ne qeveri dhe kompania nuk pati dëm, të paktën jo në këto përmasa.
Në këto kushte nuk është çudi, që e gjitha kjo të jetë një skemë e stisur me Gjykatën në rolin e “pajtuesit” mes qeverisë dhe Gener 2. Me dakortësinë e të gjitha palëve, por me një faturë shkatërruese për shqiptarët. Gati gjysmë miliardë euro për 20 kilometër rrugë. Por qeveria do ta ketë justifikimin për të dalë me duart e lara; vendimin e dha Gjykata.