Presidenti Ilir Meta shpreh vlerësim për inxhinierin Xhevahir Ngjeqari, që sipas tij, i ka kushtuar gjithë këtë pjesë të jetës së tij studimit të burimeve natyrore të pashfrytëzuara të Shqipërisë.
Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit jep edhe një mesazh të fortë, teksa thekson se është koha për të kthyer vëmendjen tek interesi publik.
“Boll më me interesa klienteliste që synojnë zhvatjen e Shqipërisë nga vetëm një grusht oligarkësh e horrash,” shkruan Meta në rrjetet sociale.
Postimi i plotë:
Inxhinier Xhevahir Ngjeqari është një intelektual i rrallë, i cili gjithë këtë pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar energjikisht studimit të burimeve natyrore të pashfrytëzuara të Shqipërisë, duke u bërë njëherazi avokat dhe kontribues i mbrojtjes dhe shfrytëzimit të tyre me efikasitet në funksion të interesit publik e kombëtar.
Së fundi ai vjen me librin “Mesdheu-Adriatiku. Projektim i porteve tregtare-turistike-peshkimit dhe realizimi në bregdetin shqiptar”, fryt i një pune pasionante ndër vite, që në thelb përbën një perspektivë të vyer për ekonominë shqiptare, e cila duhet të merret në konsideratë.
Zëri i intelektualëve tanë të shquar duhet të dëgjohet më shumë për t’i dhënë qëndrueshmëri rritjes së zhvillimit ekonomik të vendit.
*Boll më me interesa klienteliste që synojnë zhvatjen e Shqipërisë nga vetëm një grusht oligarkësh e horrash*.
Koha për të kthyer të gjithë vëmendjen nga interesi publik!