Askush nuk mund të konsumojë alkool dhe më pas të ngasë makinën në mënyrë të sigurt, edhe nëse është një drejtues mjeti me përvojë. Statistikat shprehen se 1 në 3 aksidente me pasoja fatale vjen si rezultat i përdorimit të alkoolit nga drejtuesi i mjetit.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), ka nisur fushatën e sigurisë rrugore ku janë ftuar personalitete të njohura nga fusha të ndryshme për të ndarë mesazhe ndërgjegjësuese për sigurinë dhe edukatën rrugore, udhëtimin me kujdes dhe për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Si një nga figurat më të mirënjohura televizive, kësaj fushate i është bashkuar gazetari dhe Drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, si Ambasador i Sigurisë Rrugore, duke ndarë me publikun në një video 1 minutëshe këshilla të vlefshme për mospërdorimin e alkoolit gjatë udhëtimit me mjet.
Z. Fevziu i bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të udhëtojnë gjithmonë me kujdes duke mos rrezikuar jetën e tyre, të pasagjerëve, të familjarëve dhe qytetarëve të pafajshëm që mund të gjenden në vendin e gabuar në momentin e gabuar.
Nëse duhet të udhëtoni pasi keni pirë alkool, tregohuni të përgjegjshëm: mos e ngisni makinën. Merrni një taksi ose kërkojini një miku të ngasë makinën në vendin tuaj. Mendoni edhe për njerëzit që ju rrethojnë: mos i lejoni miqtë tuaj të ngasin makinën nëse kanë pirë alkool.