Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike i cili kërkon një tjetër mandat në krye të kësaj partie, është takuar pasditen e sotme me demokratët e Kurbinit.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për garë të pabarabartë më 25 Prill duke e cilësuar procesin zgjedhor arrest kardiak për demokracinë në Shqipëri.
Basha u shpreh se PD doli nga beteja ashtu si në vitin 1991 me pushtetin moral për të ndihmuar njerëzit në shpresën për ndryshim, gjë që e quajti fitoren më të madhe.
“Të bashkëpunosh pa vija të kuqe me njeriun që e futi demokracinë dhe vendin në arrest kardiak do të thotë të bëhesh bashkëfajtor. Lulzim Basha nuk e njeh rezultatin e tjetërësuar të 25 Prillit. Pa këtë nuk ka themel për aksion politik në dobi të shqiptarëve. Ftesa ime për ju është një dhe vetëm një.
Pa dorashka dhe zbukurime. Betejën ta çojmë deri në fund. Jemi në këmbë dhe ta mbajnë ndezur zjarrin që ndezëm, zjarrin e shpresës në zemrat e shqiptarëve që na ndoqën. Ta mbajmë ndezur këtë zjarr dhe kërkoj besimin tuaj të vazhdoj t’i prij kësaj beteje bashkë me ju”, u shpreh Basha.