Arsimi ka qenë tema e cila ka mbledhur sot në një tryezë diskutimi kreun e opozitës shqiptare Lulzim Basha me Komisioneren e BE-së, Mariya Gabriel dhe përfaqësues të Universitetit Modul të Vjenës.
Ndërsa Gabriel ka vlerësuar përqendrimin e vemëndjes tek kjo çështje e cilësuar si çelësi për të tashmen dhe të ardhmen ajo ka parashtruar përfitimet e një shoqërie e cila investon në edukimin e të rinjve.
“Unë do të filloja duke thënë se arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës është themeli për përmbushjen personale dhe qytetarinë aktive. Ndihmon të rinjtë të gjejnë vendin e tyre në shoqëri dhe ekonomi dhe u jep atyre kompetenca, aftësi, njohuri të nevojshme për të lulëzuar në jetë.
Arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës siguron edhe më shumë se kaq. Do të zvogëlojë ikjen jashtë vendit të trurit. Kjo do t’u japë bizneseve një fuqi punëtore të aftë dhe ekonomive kombëtare dhe rajonale një shans më të mirë për të qenë konkurrues”, tha Gabriel.
Kryetari i PD-së Basha gjithashtu në këtë tryezë paraqiti dhe disa nga synimet ambicioze të platformës së tij politike që do të gjejnë zbatim sapo ai të marrë në dorë drejtimin e qeverisë.
“Hapi ynë i parë do të jetë ofrimi i kurseve në internet të gjuhëve të huaja falas për të rinjtë shqiptarë dhe për individët shqiptarë deri në 35 vjeç. Do të ofrohen 5 gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe spanjisht. Kjo mundësi e jashtëzakonshme do t’i ofrohet kujtdo, qoftë ky banor i kryeqytetit apo që jeton në skajet më të largëta të vendit tonë. Gjithashtu kemi një plan konkret pune që ofron trajnim të dyfishtë profesional në mbi 20 disiplina të ndryshme. Së pari, kjo do të arrihet përmes arsimit online, që është akredituar, nëse dikush dëshiron të vazhdojë studimet Bachelor ose Master, dhe kjo është dicka e jashtëzakonshme. Konsiderohet e tillë sepse një nga fushat me të cilat Evropa po bën përparim, vende të caktuara si Gjermania, si Austria janë duke bërë përparim të jashtëzakonshëm duke përqafuar mundësinë e formimit të dyfishtë profesional për të sjellë të rinjtë në frontin kryesor të zhvillimit ekonomik dhe mundësive ekonomike”, tha Basha gjatë fjalës së tij.
Gjithashtu ai u shpreh se qëllimi i partisë dhe loalicionit që ai drejton është të krijojë një klasë të mesme të mirëpaguar dhe trajtuar me dinjitet.