Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar ashpër ndaj një deklaratë te kreut të Këshillit Kombëtar të kësaj partie Bujar Nishani. Ky i fundit tha në një intervistë më herët se kishte “kuptuar se Basha ka qenë në dijeni të informacionit se Berisha do të shpallej “non grata” nga SHBA dhe jo pa qëllim afroi në mënyrë të papritur datën e zgjedhjeve brenda partisë”.
Ky qëndrim i Nishanit hidhet poshtë nga Basha.
“E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim me të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit.
Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj” – shkruan Basha.
Çfarë tha Nishani?
Ish-presidenti Bujar Nishani deklaroi sot në ‘Frontline’ në ‘News24’ se kreu i PD-së, Lulzim Basha ka qenë në dijeni të vendimit të DASH për shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas Nishanit, kjo ka qenë edhe arsyeja e afrimit të datës së zgjedhjeve për kreun e PD-së. Mes të tjerash Nishani tha se Basha nuk ka asnjë kontribut në këto 8 vite brenda PD-së.
Duke u ndalur tek vendimi për shpalljen non-grata për Berishën, Nishani tha; “Unë jam shprehur qartë kur më është kërkuar mendim. Kjo është një çështje që zoti Berisha e ka adresuar diskursin drejt zgjidhjes gjyqësore. E ka bërë zgjedhjen e tij. Me rëndësi në këtë çështje janë dy gjëra. Në këtë histori personale me Berishën unë mund të dëshmojë në çdo kohë, se unë kam ndeshur njeriun e ndershëm institucional dhe skam ndeshur kurrë një minimum të korrupsionit. Kjo çështje është një çështje që s’do t’i cënojë kurrë marrëdhëniet SHBA-Shqipërinë. S’kam droje fare. Skam asnjë ndonjë informacion apo indicie. Unë kam kuptuar se zoti Basha ka qenë në dijeni të informacionit, pasi jo pa qëllim afroi jo në mënyrë të pritur datën e zgjedhjeve brenda partisë. Kjo çështje ka krijuar një shok brenda PD. Se mohojmë dot. Pasi Berisha është themelues i PD dhe për të ka ndjeshmëri.”.
Ndërkohë, pyetjes nëse duhet të përjashtohet zoti Berisha nga PD, ai tha se legjislacioni se ndalon.
“Ai e shprehu vetë qartë, i takon atij. S’ka asnjë lloj legjislacioni që ta përjashtojë zotin Berisha. Kjo është zgjedhje personale e tij. Ne duhet ta respektojmë.”, pohoi ish-presidenti.