Kryetari i PD, në vijim të turit të takimeve me të rinjtë, bashkëbisedoi me një grup gjimnazistësh me të cilët diskutoi problematikat e arsimit parauniversitar.
Samuel Basha: Zoti Basha përshëndetje, unë quhem Samuel Basha. Jam maturant në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” dhe doja të shtoja diçka në lidhje me problemin e COVID-it nëpër shkolla. Kam vënë re se nuk njoftohemi, duke na vënë në rrezik ne, familjarët tonë dhe gjithashtu duke u kthyer në vatër infeksioni
Lulzim Basha: Është një problem i përsëritur. E dëgjoj kudo. Dhe padyshim një nga gjërat e para që duheshin marrë, masat e para që duheshin marrë, duhet të ishte siguria shkollave. Ndoshta e mbani mend më 29 shtator, kur ne shpalosëm një plan me 5 hapa kundër krizës dhe hapi i dytë pas shëndetësisë që kishte të bënte me spitalet dhe me të sëmurët, kishte të bënte me arsimin. Që shkollat tona t’i bënim të sigurta. Dhe propozuam disa hapa. Hapi i parë: Testimin masiv dhe pastaj periodik të mësuesve.
Hapi i dytë, subvencionimin e plotë dhe mbikqyrjen e dezinfektimit periodik të ambienteve shkollore. Hapi i tretë, vaksinimi masiv për gripin sezonal që të mos i mbivendosej komplikacioneve që sjell pastaj infektimi me koronavirus. Dhe po kështu pajisja me ato mjetet mbrojtëse që nga dezinfektanti, tek maskat sepse shumica dërrmuese e familjeve shqiptare e kanë të vështirë, shumë prej tyre të pamundur t’i sigurojnë ato. Me marrjen e këtyre masave, sigurisht nuk do ta eleminonim tërësisht rrezikun, por jam i bindur që do të reduktojë në mënyrë të ndjeshme. Asnjë prej këtyre masave nuk u mor dhe s’ka si të merret nga një qeveri që prej 7 vite në pushtet nuk ka siguruar as ujë të rrjedhshëm. Në 70% të shkollave të Shqipërisë nuk ka ujë të rrjedhshëm ku hapi i parë kundër pandemisë, por hapi i parë edhe për higjenën personale, është larja e duarve edhe pa pandeminë. Megjithatë dua t’ju them se këto dështime dhe pastaj përgjigjet pa plan, kaotike siç ishte ajo e kalimit nga regjimi normal mësimor në rregjimin e pjesshëm, që ndodhi brenda 24 orëve, kur 24 orë më parë kryeministri tha nuk ka problem, shkollat kështu siç janë, pas 24 orësh del ministria vetë dhe tha jo duhet mbyllur dhe duhet filluar pjesërisht, këto do të marrin fund. E vetmja gjë, e vetmja diferencë midis situatës ku jemi sot dhe situatës që mund të kishim, në qoftë se do të ishin marrë këto masa, është një qeveri e përgjegjshme. Nuk ka nevojë të shpikim rrotën. Mjafton që të financonim këto hapa që ju përmenda, mjafton që të merrnin masat për higjenën minimale në shkolla, mjafton që jo në 7 vite por edhe brenda 1 viti e gjysmë, 2 vitesh në qoftë se qeveria ka vullne, uji i rrjedhshëm në çdo shkollë duhet të jetë realitet edhe në shkollat më të largëta të vendit dhe mbi të gjitha duhet me çdo kusht që nxënësit, mësuesit, prindërit të kenë mundësinë të planifikojnë pak më përpara. Për këtë duhet që i pari i shtëpisë , i pari i shtetit, qeveria, kryeministri ta bëjë këtë plan përpara. Njëherë tërmeti, tani pandemia një gjeneratë e tërë që po humb një vit shkollor, është e paprecedentë dhe kjo sjell pasoja të mëdha. Këto janë problemet. Ne sigurisht atë plan që i vumë në dispozicion qeverisë, jemi të gatshëm ta nisim ta zbatojmë prej ditës sonë te parë të marrjes së përgjegjësive të qeverisjes së vendit. Është plotësisht e përballueshme në qoftë se prioriteti jeni ju dhe për mua ju jeni prioriteti. Ju te dhjetë këtu dhe jo 10 oligarkët dhe qindra e mijëra të tjerë si ju, të jeni të sigurt që do të marrim të gjitha masat që të paktën standardet që sigurojnë vendet e tjera të rajonit për sa i përket arsimit parauniversitar, por edhe atij universitar, t’u garantohen edhe të rejave edhe të rinjve shqiptarë.
Duke u ndalur tek problematikat e arsimit, kreu i opozitës tha se garancia për një nivel të mirë studentësh, është cilësia e arsimit parauniversitar.
“Nuk mund të pretendojmë ne të kemi studentë të niveleve të larta në qoftë se nuk garantojmë cilësinë e arsimit para universitar, gjimnazet, shkollat nëntë vjeçare, që nga klasa e parë. Aty fillon të mbillet fara e cilësisë aty fillon të induktohet talentim. Tani ne jemi racë e zgjuar, e fortë, mbijetuese dhe askush nuk e tregon këtë më mirë se sa rinia shqiptare me gjithë këto deprivime të tuajat të familjeve tuaja. Kur ju shoh, kur ju dëgjoj nuk ju mungon asgjë krahasuar me rininë europiane. Detyra e vetme e qeverisë është të garantojë që sistemi arsimor të funksionojë normalisht. Prindërit tuaj i bëjnë detyrat tuaja, heqin bukën nga goja kur i thonë për arsimin. Shqiptarët heqin bukën nga goja për arsimin e fëmijëve të tyre, ju bëni detyrat tuaja, ia shpërbleni me punë familjeve tuaja, me përkushtim, me rezultate më të mira të mundshme edhe si gjimnazist edhe si studentë. Pra, prindërit e bëjnë detyrën e tyre, fëmijët e bëjnë detyrën e tyre, vetëm njëri s’po e bën detyrën, shteti, qeveria, kryeministri, dhe për të mbuluar dështimin gjen lloj lloj fajtorësh imagjinarë e lloj lloj justifikimesh. Shtatë vite dështime për të përmbushur premtimet e veta për një arsimim cilësor europian. Shtatë vite premtime të pambajtura për të financuar arsimin të paktën në nivelet e mesatares së rajonit. Jemi në nivelin më të ulët të financimit në çdo fushë”, – tha Basha.
Gjimnazistët i shtruan si problem kreut të opozitës edhe nivelin e shkollave profesionale. Sipas tyre arsimi profesional ka dështuar të tërheqë nxënësit. Për këtë kryetari i PD tha se rruga e vetme për të bërë tërheqës arsimin profesional është investimi.
Arba Zekthi: Shkollat profesionale kanë dështuar vitet e fundit dhe e shikojmë që nuk përbëjnë tërheqje për nxënësit për arsye se ka nivel shumë të dobët të mësimdhënies dhe nuk kanë kushtet e duhura. Doja të pyesja se si juve synoni që këtyre nxënësve me këto pasione ose me këto dëshira t’u garantohen ato që duhen, mjetet e duhura, kushtet e duhura dhe një mësimdhënie në nivel? Jo në nivelin minimal siç është sot, në mënyrë që ata të kenë një perspektivë në lidhje me këtë lloj profesioni.
Lulzim Basha: Mënyra e vetme për ta garantuar është që shteti të investojë në arsimimin profesional. Por në planin tonë, një vend të veçantë për rritjen e ekonomisë kanë investimet e huaja. Prioriteti numër 1 i qeverisë së ardhshme do të jetë punësimi e në veçanti, punësimi i rinisë. Kur thua prioriteti i qeverisë, kini parasysh financimin. Prioritet nuk do të thotë të marrësh tribunën e të flasësh me orë të tëra, apo të gdhihesh e të ngrysesh në Instagram. Prioritet do të thotë të dedikosh fonde, t’ju tregosh investitorëve që je serioz, do të thotë të dedikosh fonde për uljen e taksave dhe për financimin e arsimit profesional dhe kjo do të jetë një nga fushat ku ne nuk do të rreshtim asnjë përpjekje dhe padiskutim përfitimin e kësaj do ta ndjejnë të gjithë, në veçanti do t’i ndjejë rinia.