Drejtuesi Politik i PD për qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi u takua me një grup të rinjsh që kanë mbaruar në degë të ndryshme, si mekanikë, elektrike, hoteleri turizëm, hidraulikë, apo muzike. Gjatë takimit, Bardhi ka bashkëbiseduar me të rinjtë dhe ka dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre. Shumë prej tyre thanë se në pamundësi për të gjetur punë në zanatin e tyre, kanë nisur të punojnë kamerier.
Nertila Avdiu, e cila ka kryer shkollën e mesme për hoteleri turizëm, pohoi se e zgjodhi arsimimin profesional për shkak të vështirësive që kishte familja për të përballuar universitetin, edhe pse kishte rezultate të mira.
“Ju jeni profesionistë që trokisni në treg, po për fat të keq, nuk gjeni shumë mundësi, sepse biznesi është në gjendje të vështirë dhe prej mungesës së mbështetjes dhe goditjes nga taksidarët, janë shkurtuar vende pune. Aktualisht nuk ka asnjë përkrahje. Por ne, pas 25 prillit do të vëmë në jetë planin tonë, që sjell stimulim të sipërmarrjeve të reja, përmes skemave të financimit që do i sigurojë qeveria”, u shpreh Bardhi.
Ai shtoi se me lindjen e bizneseve të reja, rritet mirëqenia dhe ekonomia për të gjithë pasi krijohen vende pune, dhe shtohet konsumi.
Shumë prej këtyre të rinjve si Xhesjani, Doraldi janë votues për herë të parë dhe duan të dinë përse ata duhet ta zgjedhin PD-në me 25 Prill.
“Unë nuk kam ardhur këtu që të gënjej, të marr një mandat, dhe pastaj të iki në një qark tjetër. Pas 4 vitesh do të jap llogari para jush për punën që kam bërë. Ne nuk kemi premtime, kemi angazhime konkrete. Nuk do të sjellim mrekulli, por do të sjellim normalitet. Një vend ku çdokush, çdo i ri të ketë mundësi për një punë e jetë normale”, u shpreh Bardhi, i cili ndau me ta edhe konceptin e shtetit. Sipas tij nuk është burgosja e një të pamunduri që rregullon çatinë, por goditja e të fortëve, dhe arrestimi i ministrave, kushdo qofshin, nëse ata do të vje.dhin.