Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zbardhi detaje nga Kongresi i PS, që do të mblidhet ditën e nesërme, dhe që përkon edhe me 30-vjetorin e themelimit të kësaj partie.
Në një komunikim me gazetarët nga selia rozë, Balla deklaroi se Kongresi i PS do të nisë me surpriza të bukura, ku do të ketë mesazhe dhe përshëndetje nga socialistët e vjetër, që sipas tij, kanë kontribuar në PS, dhe në të njëjtën mënyrë edhe për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Më tej, Balla deklaroi se Kongresi do të vijojë me analizën e thellë në të gjitha strukturat e Partisë Socialiste, duke shtuar se në dy zgjedhjet e fundit, ato të 2013 dhe 2017, nuk është bërë një analizë e tillë për gjërat që nuk janë bërë mirë brenda PS-së.
“Nesër PS feston 30-vjetorin e saj dhe urimet nuk bëhen dot sot, por natyrshëm që ky është një moment historik në rrugëtimin e PS, e cila gjatë gjithë këtyre 30 viteve ka një kontribut të veçantë në jetën politike të vendit. Është e vetmja forcë politike që gjatë këtij rrugëtimi nuk i ka bërë asnjëherë dëm interesave të vendit, por ka kontribuar në forcimin e demokracisë, të shtetit ligjor dhe çuarjen përpara të reformave, që na kanë afruar sot më shumë se kurrë me ëndrrën e anëtarësimit në BE. Kështu do të jetë pjesa e parë e Kongresit ditën e nesërme, do t’i dedikohet rrugëtimit të këtij 30-vjecari.
Ajo që dua të them dhe po e nënvizoj. Ka një rëndësi fjala e kryetarit Rama që lidhet me vizionin tonë “Shqipëria 2030” dhe organin qeverisës për mandatin tonë të ri. Një parti politike si e jona hyn në zgjedhje për të fituar. Fokusi do jetë te programi qeverisës dhe shprehja e vullnetit tonë. Të krijojmë një mundësi komunikimi me opozitën, PD-në në favor të vendit. Ky proces që çon në anëtarësimin në BE kërkon më shumë përgjegjësi nga të gjitha palët. Rama e ka shprehur gatishmërinë për një frymë të re me opozitën. Në shtator, në kuvendin e ri duhet të kemi mundësi për të krijuar mundësi të reja komunikimi në funksion të disa reformat ë rëndësishme për ligje që kërkon 3/5 apo 2/3. Ne i kemi të gjitha mundësitë të identifikojmë çështje ku kemi darkordësi me PD, kujtoj këtu disa reforma politike që edhe vetë Basha që do mesa duket do rizgjidhet prapë, do të ulet në tavolinë”, u shpreh Balla.
Dua ta nënvizoj dhe të jetë e qartë për gjithë strukturën e PS, se ndoshta në dy palë zgjedhje ato të 2013 dhe 2017, ne nuk kemi bërë një analizë të duhur dhe të thellë për të kuptuar se në cilat pjesë të organizimit tonë nuk kemi funksionuar si duhet dhe ku duhet të përqendrohemi. Në këtë këndvështrim, prandaj ne po i japim vetes kaq shumë kohë në dispozicion. Procesi fillon nga 15 qershori e deri më 15 janar 2022, për të garantuar që në pranverën e 2022 e gjithë struktura e PS t’i përgjigjet pritshmërisë së kryetarit Rama dhe gjithë kolegëve të tjerë, që jemi drejtues rajonalë të PS, në përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 2023”, deklaroi Balla.