TIRANË– Disa persona, ende të paidentifikuar, janë shoqëruar në komisariat për tu marrë në pyetje në lidhje me sulmin me armë zjarri, të ndodhur një natë më parë në Tiranë ku objektivi ishte Nardi Abazi. Dosja.al ka mësuar se të shoqëruarit do të merren në pyetje për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen, ndërkohë që dyshohet se sulmuesit ishin dy persona.
Ende nuk bëhen me dije identitetet e dy të dyshuarve kryesorë, ndërkohë që mësohet se ata po vëzhgohen dhe po mbahen nën hetim për tu përballur më pas me drejtësinë.
Vetë shënjestra është shprehur se është sulmuar me armë zjarri ndërkohë që ecte me makinë, por nuk ka dhënë detaje për një autor të mundshëm. Ngjarja u regjistrua një natë më parë. Pista kryesore ku po hetohet është një konflikt që 24-vjeçari Abazi kishte pasur me anë të telefonit me disa persona, gjë që mund të ketë sjellë edhe sulmin me armë zjarri.
Vetë shënjestra shpëtoi pa u lënduar nga plumbat, braktisi mjetin në momentin që ndodhi ngjarja dhe u largua.