Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim organizatorin e dyshuar të vrasjes së trefishtë në aksin Elbasan-Metalurgji më datë 29 dhjetor 2018.
Në këtë ngjarje mbetën të vrarë Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe turku Erdal Durunay.
“Abc News” raporton se personi i dyshuar se organizoi atë që u quajt masakra e Bradasheshit është Mikel Qosja, i cili tashmë kërkohet nga policia.
Qosja është arratisur më herët në Dubai dhe gjendet nën mbrojtjen e disa personazheve të njohur të nëntokës në Elbasan që njihen si “grupi i Dubait”.
“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, pas një pune të mirëfilltë hetimore bënë të mundur identifikimin e një prej autorëve të ngjarjes së ndodhur në datën 29.12.2018, në fshatin Bradashesh, Elbasan, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit E. A., A. D. dhe T. D.
Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasi:
M. Q., 35 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje“, bën me dije policia.
Atentati
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e mbrëmjes së datës 29 dhjetor, ku Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe turku Durunay ndodheshin në një automjet duke u kthyer nga një prej restoranteve aty pranë. Ndërkohë që u futën në kryqëzim mjetit iu pre rruga dhe në drejtim të tyre u qëllua disa dhjetra herë duke i lënë të vdekur në vend.
Policia dyshoi se ngjarja ndodhi për shkak të prishjes së pazareve të drogës duke vijuar hetimet në këtë drejtim.
Vrasje dhe arrestimi i Erion Alibejt
Ngjarjet e rënda në Elbasan që lidheshin me këtë atentat do të riktheheshin verën e vitit të shkuar ku u vranë brenda pak ditësh Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj.
Në lidhje me këto vrasje prokuroria akuzoi Erion Alibejn, vëllain e Endrit Alibejt të ekzekutuar në atentatin e 29 dhjetorit. Erion Alibej u arrestua në 18 shtator të vitit të shkuar pikërisht për këto dy vrasje.
“Në kuadër të hetimeve është lidhur një marrëveshje bashkëpunimi mes një shtetasi dhe organit të prokurorisë. Bashkëpunëtori i drejtësisë, por edhe personat e tjerë të pyetur gjatë hetimeve, kanë konfirmuar dyshimin se Erion Alibej është porositës i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj. Ka të dhëna që këto ngjarje kanë për motiv gjakmarrjen për vrasjen e shtetasit Endrit Alibej, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018 në Elbasan”, thuhet në dosjen hetimore në lidhje me arrestimin e tij.
Erion Alibej është gjithashtu i dyshuar edhe për vrasje e Bujar Çelës, vëllait të Talo Ccelës në shtator të vitit të shkuar si hakmarrje ndaj ekzekutimit të vëllait të tij, Dylgjerit dhe turkut Durunay.
Njoftimi i policisë
Elbasan
Vijon puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim ndërkombëtar një nga autorët e vrasjes së trefishtë të ndodhur në vitin 2018, në Elbasan.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, pas një pune të mirëfilltë hetimore bënë të mundur identifikimin e një prej autorëve të ngjarjes së ndodhur në datën 29.12.2018, në fshatin Bradashesh, Elbasan, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit E. A., A. D. dhe T. D.
Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasi:
M. Q., 35 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.