Një 38-vjeçar është vrarë me armë zjarri në Vlorë, në lagjen ”Pavarësia”. Personi i ekzekutuar është Delon Troqe.
Ai u transportua në spital me urgjencë, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra. Troqe u ekzekutua para sevisit të vëllait të tij, teksa kishte disa ditë që ishte kthyer nga Spanja.
Policia ka sekuestruar pamjet filmike të zonës si dhe janë ngritur pika kontrolli për të identifikuar e kapur autorët.
Këta të fundit janë larguar me automjet fill pas ngjarjes me drejtim nga Kanina, në zonën e Byppasit teksa në fshatin Sherishtë është gjetur një automjet i djegur. Deri më tani pistë hetimi për vrasjen është ngritur mbi dyshimet e ndonjë konflikti që mund të ketë patur Troqe me persona të tjerë në Spanjë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Rreth orës 21:50, në lagjen “Pavarsia”, Vlorë, në rrethana ende të pa qarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendgjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit/ve.
Gjatë krehjes së zonës, në fshatin “Sherishtë”, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes.
Gjithashtu janë shoqëruar në Komisariat disa shtetas të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen.
Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbej zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve.