Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, caktoi ditën e djeshme 8 drejtuesit politikë të PD për Qarkun e Tiranës. Grida Duma, Agron Shehaj, Jorida Tabaku, Alfred Rrushaj, Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Aldo Bumçi, janë të zgjedhurit e liderit demokrat për të fituar Tiranën.
Një ditë pas zgjedhjes, ish-deputetja Grida Duma në një intervistë për News24, shprehet se drejtimi politik që i është besuar për Kavajën, është një vlerësim për të, për shkak se nga ky qytet pati pikënisjen demokracia.
“Kavaja qendron ne gjenezen e PD. Privilegj qe shkoj ne Kavaje e Rrogozhine”, deklaron Duma.
Sipas Dumes, plani ekonomik që ofron PD, është më se i realizueshëm dhe konkret, dhe se me zbatimin e këtij plani, do marrë frymë biznesi.
“Do te clirojme biznesin, para tek njerëzit”, shton ajo.
Ndërsa, Jorida Tabaku shprehet se Tirana është qarku që është prekur më shumë nga politikat negative të qeverisë. Sipas ish-deputetes, programi i ofruar nga PD është jo vetëm për demokratët, por për të gjithë qytetarët.
“Plani yne jo vetëm për demokratët. Pas 25 prilli t nje Shqiperi më të mire për të gjithë. Tirana me rritjen më të madhe në votë. Tirana me votën negative më të madhe ndaj PS”, thotë Tabaku.
Kreu i Forumit Rinor të PD, Belind Këlliçi, shprehet i bindur se 20 mandate në Tiranë do të jenë të arritshme, ndërsa thekson se kundërshtarët politikë nuk e kanë një program për t’ua prezantuar shqiptarëve.
“Do të arrijmë 20 mandatë në Tiranë. Ne kemi një program, PS ka tepsinë”, thekson ai.