Policia e Pogradecit ka vënë në pranga 3 zyrtarë përfshirë në aktivitetin e peshkimit të paligjshëm të koranit në këtë qytet.
Mësohet se në pranga kanë rënë kryetari i Shoqatës së Peshkimit Pogradec, Adriatik Dokollari, 49-vjeç, si dhe dy persona të tjerë me inicialet M. D., 47 vjeç, dhe E. P., 43 vjeç.
Po ashtu janë sekuestruar një sasi peshku i llojit koran dhe një sasi lekësh.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka urdhëruar ndalimin e këtyre tre shtetasve, në bazë të vendimeve të Gjykatës e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi nga hetimet e kryera rezultoi se në bashkëpunim mes tyre ata kanë shpërdoruar detyrën, duke detyruar peshkatarët në Pogradec që të kryenin peshkim të paligjshëm të peshkut koran dhe më pas këtë sasi e tregtonin në lokalet e qytetit të Pogradecit, për të siguruar përfitime personale.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre u gjetën një sasi peshku e llojit koran dhe një sasi lekësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Tregtimi i specieve të mbrojtura të faunës dhe florës së egër” kryer në bashkëpunim.