Ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, ose shërbimit sekret maqedonas, Sasho Mijallkov, u arratis menjëherë pasi një gjykatë në Shkup kërkoi masën e arrestit shtëpiak para shpalljes së vendimit gjyqësor lidhur me një rast ku ai ishte njëri prej të akuzuarve.
Policia maqedonase nuk ka mundur ta gjejë atë në hotelin luksoz “Marriot” në qendër të Shkupit, që është në pronësi të tij, e as në shtëpinë e tij. Autoritetet e rendit kanë nisur kërkimin e tij brenda vendit, por nëse kjo nuk rezulton me sukses për një kohë të shkurtër, atëherë do të shpallin edhe fletëarrestin ndërkombëtar.
Sipas medias në Shkup zoti Mijallkov, është parë të dielën në kafenenë e hotelit të tij ‘Marriot’, i shoqëruar me ish-kryetarin e Komunës së Aerodromit të Shkupit.
Rasti ‘Target-Kështjella’, për të cilin akuzohet zoti Mijallkov së bashku me njëmbëdhjetë persona të tjerë, kryesisht ish-zyrtarë të policisë, ka të bëjë me përgjimin në masë të rreth 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, një skandal i cili u publikua në fillim të 2015-ës nga Zoran Zaev, atëherë drejtues i opozitës. Prokuroria në seancën e fundit gjyqësore kërkoi dënim maksimal për zotin Mijallkov, por nuk kërkoi masën e paraburgimit apo të arrestit shtëpiak para shpalljes së vendimit gjyqësor që pritet të bëhet të premten.
Kryeministri Zaev tha të hënën se ishte i dëshpëruar nga arratisja. “Do të kërkojmë përgjegjësi pasi t’i kemi të gjitha hollësitë rreth rastit”, u shpreh ai për median, duke i hedhur poshtë dyshimet në publik për ndonjë marrëveshje politike lidhur me arratisjen. Ndërkaq, drejtuesi i VMRO-DPMNE-së opozitare maqedonase, Hristijan Mickovski ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë. “Kemi thënë se mafia ka shtetin e vetë në Maqedoni”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Emri i zotit Sasho Mijallkov ngjallte shumë frikë ndërsa ai ishte në krye të shërbimit sekret nga 2006 – 2015. Asnjë media në atë kohë nuk merrej me emrin e tij edhe pse kishte njoftime për shkelje të ligjit, përkatësisht raste të dyshuara si të montuara gjyqësore ku mund të ishin përfshirë agjentë sekretë. Zoti Mijallkov para se ta merrte në drejtim Shërbimin e Kundërzbulimit njihej për pronat që posedonte në Çeki. Ai ka lidhje të ngushta familjare me ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski, po ashtu i arratisur në Hungari.