Ministri Arben Ahmetaj ka shpalosur programin e PS-së përtej mandatit të tretë qeverisës, që bazohet në 5 shtylla dhe në qendër të së cilës është familja.
“Vizioni ynë përtej mandatit të tretë, të “Shqipërisë 2030” mbështet në pesë shtylla janë;
Rimëkëmbja e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia të cilën e mundëm.
Mirëqenie për të gjithë, rritje ekonomike me ritme të shpejta dhe të qëndrueshme.
Modernizimi për zhvillim, turizmi, teknologjia dhe shërbimet.
Investimi te familja, fëmijët, themeli ku qëndron e ardhmja
Shqipëri e fortë me një shoqëri të drejtë” tha ai.
Ahmetaj premtoi 150 mijë vende të reja pune dhe dyfishim të ardhurash nga punësimi. “Kjo është dekada ku për çdo shqiptar do të ketë dyfishim të ardhurash përmes punësimit. Punësimi nëpërmjet investimeve të vendit dhe të huaja. Mbështetjes në inovacion, teknologji, sipërmarrjes së vogël do të bëjë të mundur që në 4 vitet që vijnë të kemi 150 mijë vende të reja pune, të paguara më mirë’ tha ai.
Gjatë fjalës së tij, ministri Ahmetaj u ndal konkretisht te ndihma për familjet në nevoja dhe çiftet e reja. “Mandati i tretë i përket familjes shqiptare me një paketë për të ndihmuar familjet në nevojë. Familjeve të reja do u ofrohet 1 mln lekë mbështetje për shtëpinë e tyre të parë, 2 mijë banesa sociale në vit për ata që nuk përfitojnë nga paketa e parë.
Programi fillon në 2022. Bonusi i çerdhes për nënën për një familje me më pak se 100 mijë lekë në muaj, qeveria do i ofrojë 10 mijë lekë në muaj. Rritja e pensioneve do të jetë 6% përmes indeksimit të posaçëm” tha ai.