Ambasadorja Kim mban premtimin, takohet me të riun që e quajti “kineze”: Fisarti vjen nga një vend që unë kam rënë në dashuri!

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, është takuar gjatë paradites së kësaj të premteje me Fisartin, komentuesin që e quajti “kineze”.

Takimin e ka konfirmuar vetë ambasadorja, e cila ka ndarë në rrjete sociale një foto ku shihet me djalin nga Tropoja.

Përbri fotos së publikuar, Kim shkruan se me Fisartin kanë diskutuar rreth vendeve të tyre të origjinës, mënyrës se si janë rritur, por edhe marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Amerikës.

“Javën e kaluar Fisarti bëri një koment për “miqësinë shqiptaro-kineze” që më çuditi. Kështu e ftova për kafe. Ai pranoi. Sot u ulën jashtë, në diell, pimë kafe dhe biseduam për komentin, por edhe për shumë gjera të tjera. Ne diskutuam për origjinën dhe se si kjo na ka formuar (Fisar është nga Tropoja, një vend që unë kam rënë në dashuri kur e kam vizituat muajin e kaluar, ndërsa unë vij nga një mal i Koresë por jam rritur në një ishull tropikal).

Unë mësova pak më shumë për të shkuarën e shqiptarëve dhe u çudita kur Fisarti më tregoi se si Enver Hoxha kontrollonte gjithçka, financat, fenë, punët, por ai nuk mund të kontrollonte shpirtin njerëzor.

Ne gjithashtu diskutuam për sfidat që kanë shqiptarët dhe ramë dakord që ligji dhe barazia përballë ligjit është i rëndësishëm që të gjithë shqiptarët jo vetë elita të ketë një punë, të kujdeset për familjet dhe të kontribuojnë plotësisht në të ardhmen e shtetit.” , shkruan Kim.

Kujtojmë se disa ditë më parë, Fisarti tërhoqi vëmendjen e ambasadores me anë të një komenti të bërë në një foto që ajo kishte publikuar, e ku ishte në Pogradec.

“Dashuria shqiptaro-kineze është një histori e vjetër dhe e bukur”!, komentoi Fisarti në postimin e ambasadores Yuri Kim.
Ndërkohë që nuk mungoi dhe përgjigja e ambasadores amerikane, e cila e ftoi të riun që të takoheshin e të bisedonin mbi origjinat e njëri-tjetrit.

“Jam e çuditur nga komenti juaj. Ju mirëpres në zyrën time në Ambasadën Amerikane për një bisedë, ku mund t’iu tregoj për historinë krenare të vendit tim si një “Komb i Emigrantëve”, ndërsa ju mund të më thoni pse mendoni se jam “kineze.

Ju lutem më thoni nëse dëshironi të vini për një kafe dhe bisedë. Kjo është një ftesë e sinqertë”, iu përgjigj ambasadorja Kim.

 

Author: admin